Fatmir Efica
Një nga futbollistët padiskutim me kontribute shumë madhore te Besa e Kavajës ka qenë kapiteni i skuadrës, Meglid Mihani. Me shumë gjasa edhe sezonin e ardhshëm, ai do të vijojë që të jap kontributin për skuadrën kavajase. “Duke e konsideruar shumë pozitive ndihmën e mbështetjen e madhe që ka dhënë për futbollin dhe Besën, Bashkia e Kavajës, isha optimist, duke parë dhe startin e mbarë të ndeshjeve të para ku siguruam mjaft pikë e u vendosëm në krye se ne do të ngjiteshim. Por, çuditërisht, skuadra ka pësuar një “shok” psikologjik krejt të panevojshëm dhe la mjaft pikë të tjera në vazhdimësinë e ndeshjeve, duke u bërë e “brishtë” madje dhe në fushën e saj. Reagimet kanë ardhur dhe kjo qe një gjë e mirë që drejtuesit në janar, në muajin e markatos dimërore ndërhynë dhe morën në kontroll situatën. U rivendosën disa ura më të mira në lidhje me harmoninë e grupit dhe fakti që nga mesi i fazës së dytë përmirësimet erdhën, tregoi për aftësitë dhe mundësitë konkrete të skuadrës sonë. Jo vetëm prej futbollistëve me përvojë, por edhe nga lojtarët e huaj që erdhën në skuadër e sidomos nga kontigjenti i futbollistëve të rinj me shumë perspektivë që Kavajës asnjëherë nuk i kanë munguar, loja e rezultatet morën ndryshimin e kërkuar. Ndonëse mbeti peng për të gjithë ne vetëm mos përfshirja në pesëshen e parë”, – u shpreh Meglid Mihani, “truri” i mesfushës së Besës.
E ARDHMJA – “Janë bërë sigurisht shumë gabime, që tani natyrisht duke i parë me qetësi le të na shërbejnë dhe vlejnë që në punën përgatitore për startin e sezonit të ri të punohet me qetësi në përcaktimin e të gjitha zgjidhjeve konkrete si për formimin e një grupi kompetitiv ashtu dhe për rritjen e pretendimeve duke mos iu trembur aspak konkurrencës me çdo skuadër tjetër. Besa në sezonin e ri, do të jetë një ekip që do të luftojë me çdo çmim për rikthimin e saj në elitë, pasi tradita madhore e futbollit kavajas ta imponon këtë përkushtim që futbollistët e drejtuesit duhet ta kenë të qartë si “drita e diellit”, – përfundoi kapiteni i Besës Meglid Mihani.