Mici: Fitojmë ndaj Kukësit dhe e “vrasim” që tani kampionatin

Mbrojtësi i majtë beson shumë që skuadra e tij do ia dalë edhe në këtë ndeshje të vështirë, për të treguar se Skënderbeu këtë sezon është ekipi që duhet mundur

Leonard Trebicka

“Shpresoj që do ta kalojmë me sukses këtë 90-minutësh dhe në këtë mënyrë t’i japim edhe një “goditje” kampionatit për t’u shkëputur nga skuadrat e tjera. Titulli fitohet në përballjet direkte dhe ne këtë sezon do ta bëjmë shpejt realitet një gjë të tillë”, këto kanë qenë fjalët më domethënëse të mbrojtësit të krahut të majtë të Skënderbeut, Gledi Mici. Vetë futbollisti, në një intervistë të dhënë enkas për “Sport Ekspres”, flet me superlativa për skuadrën e tij dhe mendon që Skënderbeu ka potencialin e duhur që t’ia dalë edhe në këtë transfertë, që cilësohet si ndër më të vështirat.

 

-Mici, Skënderbeu të hënën në Kukës luan kryendeshjen e javës së katërt. Si e shikoni këtë përballje?

-Sigurisht që është një ndeshje e fortë dhe kjo dihet, pasi luajmë ndaj një skuadrës që një vit më parë u shpall kampion. Mbi të gjitha do të jetë e vështirë edhe për atë se luajmë në një fushë me bar sintetik, ku ne nuk jemi mësuar. Gjithsesi, këto ditë kemi punuar shumë dhe ju them se do të shkojmë në Kukës me synimin e vetëm që të kthehemi me tre pikët nga kjo transfertë.

 

-Do të shkoni në Kukës me “hijen” e Enea Jorgjit? Mendoni se mund të ndodhë diçka e tillë edhe këtë herë?

-Unë mendoj që Enea Jorgji është një kapitull i mbyllur. Ne jemi një skuadër e madhe dhe jemi të përqendruar vetëm te fusha e lojës dhe te ajo se si të zhvillojmë një tjetër ndeshje të mirë. Nuk e mendojmë aspak arbitrimin. Ajo që ndodhi sezonin e kaluar iku dhe nuk është aspak në memorien tonë.

 

-Një fitore e mundshme në Kukës, që e thatë edhe ju, çfarë do të thotë?

-Besoj shumë që do ta fitojmë këtë transfertë, edhe për atë se jemi në një moment vërtet të mirë. Shpresoj që do ta kalojmë me sukses këtë 90 minutësh dhe në këtë mënyrë t’i japim edhe një “goditje” kampionatit për t’u shkëputur nga skuadrat e tjera. Titulli fitohet në përballjet direkte dhe ne këtë sezon do ta bëjmë shpejt realitet një gjë të tillë.

 

– Mos ndoshta është i lodhur Skënderbeu pas kaq shumë ndeshjesh që ka luajtur?

-Të luash një ndeshje në tre ditë sigurisht që është një ngarkesë shumë e madhe, por të gjithë po kujdesemi shumë që të rikuperohemi për çdo përballje. Kushtet i kemi perfekte për ta bërë një gjë të tillë. Jemi në formë shumë të mirë dhe do të japim maksimumin, për këtë ju garantoj. Ne jemi një grup i madh lojtarësh, pikërisht që ta përballojmë me sukses edhe këtë ngarkesë kaq të madhe me ndeshje.

 

-Me të gjitha këto që keni thënë deri tani, do të thotë që Skënderbeu kërkon patjetër rikthimin te titulli kampion këtë sezon…

-Objektivi madhor për Skënderbeun është fitimi i titullit kampion dhe menjëherë pas ndeshjes me Jang Bojs ne po mendojmë vetëm për ndeshjen e Kukësit. Gjithsesi ne kemi objektiva edhe për kompeticionet e tjera, pasi duam edhe fitimin e Kupës së Shqipërisë, por edhe në Europa League të renditemi të paktën në vendin e dytë. Por, fitimi i titullit është objektivi madhor edhe për faktin se është rruga më e shkurtër për të shkuar në grupet e kompeticioneve Europiane. Ju kujtoj që këtë verë që kaloi mundëm të kalonim plot katër ture për të shkuar këtu ku jemi, ndërkohë që me vendin e parë në kampionat luhen vetëm dy ture dhe je në grupe.

 

-Për të folur pak për atë barazim të fundit që arritët ndaj Jang Bojs?

-Pavarësisht emrit të kundërshtarit që kishim përballë, ne luajtëm si të barabartë, bëmë lojën tonë, kontrolluam shumicën e kohës topin, shënuam, patëm raste të tjera dhe me pak fjalë bëmë gjithçka që duhet të bënim. Ky Skënderbeu nuk i druhet asnjë ekipi, qoftë ky edhe me emër të madh, prandaj jemi një skuadër e denjë edhe për fazën e grupeve.

 

-A do të arrijë ta mbajë këtë rritëm Skënderbeu me kaq shumë ndeshje që po luan?

-Është e vështirë, por do ta mbajmë ritmin. Kjo sepse kemi një grup të plotë dhe me seancat stërvitore do ta bëjmë realitet. Prandaj e theksova edhe më sipër, që na duhet fitorja në Kukës, në mënyrë që pas saj të qetësohemi dhe të jemi më të qetë në vazhdim.

 

-Mos ndoshta në Europë, synoni vërtet shumë me objektivin që keni dhe që është vendi i dytë?

-Nuk është aspak një objektiv i paarritshëm. Nuk fluturojmë aspak kur themi që duam vendin e dytë, pasi tre javë më vonë në rast se në takimin direkt ndaj Partizanit të Beogradit arrijmë të fitojmë, atëherë vendi i dytë është më se i arritshëm.

 

-Së fundi, Besoni shumë që mund t’ia dalë Skënderbeu ditën e hënë në Kukës?

-Shkojmë vetëm për tre pikë dhe besoj që do ta arrijmë objektivin që kemi për këtë ndeshje edhe pse është e vështirë. Por, me lojtarët që ka Skënderbeu, padiskutim që do ia dalë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *