Mezani nuk lejon euforinë në skuadër: Me sytë nga Europa, kjo është filozofia ime

Në Kosovë po flitet shumë për sukseset që Gentjan Mezani po arrin me Gjilanin. Trajneri shqiptar rregjistroi fitoren e katër rradhazi në kampionat duke ruajtur kreun e renditjes. Rezultati minimal, 1-0, me Ballkanin vetëm sa qetësoi skuadrën teksa trajneri thotë se ekipi duhet të forcohet edhe më shumë.

“Nuk po e shohim renditjen tabelare, po merremi me ndeshjet tona, sepse kjo është filozofia ime. Të marrim ndeshjet një nga një, pasi që secila ndeshje dallon nga ndeshjet tjera. Sot nuk bëmë një lojë të bukur, por luajtëm për të fituar. Pa dyshim kjo ishte ndeshja më e vështirë deri më tani dhe kemi marrë të gjitha masat që mos të gabojmë, sidomos të mbulojmë mirë repartin e tyre sulmues, që ka shumë cilësi. Kemi fituar një ndeshje të vështirë dhe unë jam i kënaqur për këtë gjë”- deklaroi Mezani për një intervistë në SuperSport.

Është e qartë që një trajner profesionist si Mezani nuk lejon që euforia të përfshijë grupin. Me këmbë në tokë dhe me synime të qarta, trajneri shpreson me të drejtë edhe për ëndrrën europiane.

“Është shumë normale që tifozët, drejtuesit e klubit, por edhe stafi teknik të presë diçka më tepër nga ky edicion. Madje edhe vetë futbollistët janë të vetëdishëm për investimet që janë bërë këtu. Por, primare kemi daljen në Evropë dhe më pas mbetet të shihet”- u shpreh Mezani.

Skuadra e Gjilanit ka grumbulluar 12 pikë në pesë takime. Në sagën e golashënuesëve, Bushiç dhe Progni kryesojnë listën me tre gola. Ky i fundit shënoi dhe golin e fitores në takimin e fundit. /Sport Ekspres/