Trajneri i Laçit, Gentian Mezani, ka mbetur shumë i kënaqur nga fitorja ndaj Luftëtarit dhe kualifikimi në Gjirokastër, edhe pse e pranon se fizikisht skuadra e tij shpenzoi shumë.
“Së pari, i gëzohemi kualifikimit në gjysmëfinale. Gjithë rivalët që kemi në gjysmëfinale janë shumë të fortë, do të jetë shumë e vështirë, por për momentin i kënaqemi fitores së sotme dhe shohim ndeshjen e radhës.
“E lehtë? E prisja që të vuanim dhe nuk ishte aspak e lehtë. Nëse pësonim gol në pjesën e parë, gjithçka do rrezikohej. E nisëm të motivuar, pa menduar për ndeshjen e vajtjes dhe këtë u kërkova lojtarëve edhe në pushim, për të mos e ulur përqendrimin. Nuk lashë asnjë titullar pushim, duke mos menduar për ndeshjen e radhës, edhe pse lojtarët mund të ndiejnë pak lodhjen, por kualifikimi sot ishte shumë i rëndësishëm për ne. Ndoshta gabuam edhe ne, e prisnim më të plotë Luftëtarin dhe ndoshta motivimi i skuadrës ra disi, kur mësuam formacionin kundërshtar. Po të kishim shënuar në pjesën e parë, do ndryshoja lojtarë në pjesën e dytë, por pata frikë duke parë si shkoi ndeshja, aq më shumë që morëm edhe karton të kuq.
“Fitorja në Laç ishte avantazh i madh, por e dinim që nuk kishte mbaruar asgjë. Për fat nuk pësuam gol në pjesën e parë, sepse përndryshe do të vuanim shumë, duke parë që u futën në pjesën e dytë edhe lojtarë si Bregu, Abazaj e Rroca. Fati ishte me ne dhe jemi të kënaqur.
“Rivali i preferuar në gjysmëfinale? Nuk kemi asnjë preferencë, nuk shohim fare cili do të jetë përballë. Janë të gjithë skuadra shumë cilësore. nuk mendoj se Skënderbeu do të përqendrohet vetëm te kampionati dhe do të lëshojë kupën. Nuk dua të komentoj fare çfarë ka bërë Skënderbeu në të shkuarën, mendoj se Skënderbeu e do këtë sezon edhe kupën, duke parë që po ecën shumë mirë në kampionat, ndaj nuk shoh asnjë avantazh nëse shorti na vë përballë”.