Mezani ikën mes falënderimesh: Thjesht arsye personale

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, trajneri Gentian Mezani ka zyrtarizuar largimin  tij nga skuadra e Laçit. Vlonjati i ka falënderuar të gjithë, duke nisur që nga presidenti Laska dhe deri te tifozët, stafin teknik dhe lojtarët. Vetë 38-vjeçari bën me dije se largimi ka ardhur për arsye personale.

“Aventurës time te Laçi i erdhi fundi. Për arsye personale po largohem nga skuadra që më dha mundësinë dhe kënaqësinë e drejtimit në elitë. Të parin dua të falënderoj presidentin Pashk Laska, i cili më dha mundësinë të trajnoj Laçin, si dhe për korrektësinë e treguar në çdo aspekt. Së dyti tifozerinë e mrekullueshme kurbinase që ka qëndruar gjithmonë pranë ekipit dhe më ka respektuar në mënyrë të veçantë gjatë gjithë kësaj periudhe. Një falënderim i veçantë shkon për stafin teknik, për përkushtimin e treguar në çdo seancë stërvitore. Në fund dua të falënderoj futbollistët, ata që bënë të mundur përjetimin e një eksperience të jashtëzakonshme jo vetëm nga pikëpamja teknike, por dhe ajo njerëzore. I uroj Laçit suksese në Europa League dhe në kampionatin e ardhshëm. Faleminderit dhe do t’ju jem gjithmonë mirënjohës! Para Laçi”, përfundon postimi i Mezanit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *