Mezani: Dhuruam një pjesë loje

Trajneri i Laçit, Gentian Mezani, ka mbetur i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së tij ndaj Teutës, duke u ndalur te gabimet në pjesën e parë, si dhe te egoizmi i lojtarëve në disa momente.

“Dhuruam një pjesë loje, kemi luajtur keq dhe është një barazim zhgënjyes. Në pjesën e dytë u përmirësuam, krijuam lojë e raste, por Teuta u mbrojt mirë dhe nuk na lejoi shumë të dilnim në lojën tonë. Megjithatë, ato pak raste që krijuam, duhej t’i shfrytëzonim më mirë.

“Rënie në renditje? Jo, ne po luajmë mirë, kemi ende synime për të qëndruar lart, por ndoshta me skuadra të pjesës së poshtme të renditjes e kemi më të vështirë. Duhet të rregullojmë këtë problem, sepse po lëshojmë shumë pikë.

“I shqetësuar? Normale që jam i shqetësuar, humbëm në Kamzë dhe ishte start zhgënjyes, por shpenzuam shumë energji ndaj Luftëtarit në kupë dhe sot lodhja u ndje, shpenzimi i energjive ishte shumë i madh. Edhe sot i patëm disa momente për të shënuar, nëse tregoheshim pak më shumë cinikë, do të kishim shënuar. Futbolli luhet me 11 vetë, nuk më intereson fare kush shënon, ndaj nuk dua të shoh egoizëm në fushë dhe djemtë duhet te fiksojnë mirë në mendje këtë gjë. Nëse shënon dikush, meritë ka skuadra, jo ai që shënon. Shpresoj që në ndeshjen e radhës të mos shoh më momente egoizmi dhe djemtë duhet të motivohen e të rikthehen në rrugën e duhur edhe në kampionat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *