Trajneri vlonjat analizon sezonin në krye të kurbinasve: “Me të rinjtë punohet më mirë, sepse kanë ambicie. Kualifikimi në Kukës ishte pika e kthesës
Jurgen Zela
Gentian Mezani bëri një sezon të admirueshëm në krye të skuadrës së Laçit, por edhe pse ajo siguroi një vend në Europa League, rrugët me trajnerin vlonjat u ndanë. Po ashtu, Mezani ishte shumë pranë fitimit të Kupës së Shqipërisë me kurbinasit dhe në finale u mund nga Skënderbeu 1-0, madje me një penallti që u kontestua shumë. Në një intervistë të gjatë për “Supersport”, trajneri Mezani ka analizuar sezonin e fundit, duke komentuar momentet më të bukura, ato më delikate si bardhezi, por edhe të ardhmen.
– Si mund të na e përshkruani aventurën tuaj në Laç?
– Vërtet te Flamurtari kam qenë një trajner zëvendësues, por isha edhe trajner i të rinjve. Ishte mundësia më e mirë dhe e kam falënderuar Flamurtarin për mundësinë që më ka dhënë për të drejtuar. Ka qenë ajo skuadër dhe ata drejtues promotorët e karrierës time. Më pas mora iniciativën për te skuadra e Laçit dhe mund të them se ka qenë një eksperiencë e bukur, një sfidë do të thosha, pasi është në karakterin tim. Më pëlqejnë sfidat, sidomos kur janë të vështira, pasi të japin më shumë emocione. Mora këtë vendim dhe erdha te Laçi.
– Çfarë ju shtyu të zgjidhje një skuadër kaq të re në moshë?
– E kisha ndjekur Laçin në tri ndeshjet e para të sezonit dhe kisha parë që është skuadër me karakter. Ka djem të rinj dhe unë vija nga sektori i të rinjve, kështu që mendova se do të më lejonin të punoja mirë. Të rinjtë kanë dëshirë të ecin përpara, të mësojnë. Kjo ishte një mundësi e mirë për mua, ndaj dhe u shtyva të bëj këtë zgjedhje.
– 56 pikë me Laçin dhe në finale të kupës, mund të thuhet se janë rezultate që bëjnë të ndihesh mirë?
– Pa diskutim që më bën të ndihem mirë ky fakt, pasi është viti im i parë që unë e çoj deri në fund kampionatin. Meritë kanë dhe çunat, pasi ata janë aktorët kryesorë. Kënaqësia është e madhe, pasi janë shumë pikë dhe arritëm objektivin përmes kampionatit. Dihet që është shumë e vështirë Europa nga kampionati, pasi ka skuadra shumë të mira, si Flamurtari, që nuk i arriti Kupat e Europës.
– Loja e Laçit ka qenë e bukur dhe është komplimentuar shumë. Mund të jetë një farë sadisfaksioni për ju?
– Po, patjetër. E thashë edhe më parë, mosha e re e lojtarëve të lejoj të shprehësh idenë tënde, gjithçka ti mendon. Ata janë më kërkues edhe ndaj vetes dhe e shprehin edhe në fushë. Ekipi ka luajtur bukur, pa diskutim.
– E keni menduar ndonjëherë gjatë sezonit të largoheni nga drejtimi i skuadrës?
– Presioni është i madh për të arritur në Europë. Kemi pasur dhe disa oshilacione. Ndoshta duhet ta kisha menduar, por vërtet që nuk ka ndodhur, pasi jam në hapat e para dhe duhet ta çoja deri në fund këtë mision që kisha nisur, duhej ta arrija objektivin me çdo kusht.
– Cila ishte ndeshja, kur skuadra juaj mori kthesën?
– Kthesa ka qenë gjysmëfinalja e kthimit në kupë, ku u kualifikuam, pasi erdhëm pas shumë ndeshjesh negative. Ai kualifikim solli kthesën, besimin te skuadra dhe arritjen e objektivit. Me aq pak eksperiencë sa kam, një grup i ri është mirë mos të futet shpejt në presion. Duke folur shumë, për t’i sjellë në rrugën e duhur lojtarët, them se është çelësi i suksesit, pasi me disa rezultate negative futen në presion dhe bëhet e vështirë. Fati i mirë ishte kualifikimi në Kukës dhe kthimi në rezultatet pozitive në kampionat.
– Shumë lojtarë grumbullohen me moshat e Shqipërisë, shumë lojtarë kërkohen në merkato, a është ky një vlerësues i punës tuaj?
– Është kënaqësi, kur ka djem të rinj, për të cilët kanë interes skuadrat e tjera. Është një vlerësim i punës, kënaqësi e dyfishtë. E para se ke rritur objektivin me këta çuna dhe e dyta se ata mund të kalojnë në skuadra të tjera jashtë vendit.
– Çfarë do të bëje ndryshe, nëse do të ktheheshit pas?
– Nuk do të bëja asgjë ndryshe. Gjithçka është bërë shumë mirë. Ndoshta ndonjë vogëlsi, pasi të gjithë gabojmë. Nga ato gabime kam mësuar dhe duheshin bërë, që të rritesha profesionalisht dhe të mos i bëj më.
– Modeli juaj i trajningut..?
– Modeli është ai i futbollit të bukur. Dua lojën e bukur, pasi përmes lojës së bukur arrihen edhe rezultate. Duhet të jemi kërkues ndaj vetes. Kërkues ndaj skuadrës, ndaj lojtarëve gjatë gjithë kohës. Nëse vendosen objektiva për një mënyrë të luajturi, për një stil loje, mendoj se me punë dhe pa u lodhur, arrihen.
– Kush është ëndrra juaj apo objektivi juaj?
– Nuk mund të flas për ëndrra. Objektivi im është të bëj më të mirën dhe të marr më të mirën nga ky profesion. Është shumë e rrezikshme, nëse mendoj se do ta bëj këtë profesion për një arsye apo për një tjetër. Gjithçka varet nga situatat dhe ajo që të ofrohet. Duhet të kërkosh që atë pak që të ofrohet, ta bësh sa më mirë dhe të shkosh sa më lart.
– A mund të jetë peng fakti që nuk e mbyllët sezonin me trofe?
– Do të thosha se zhvilluam një finale shumë të mirë. Ishim thuajse të barabartë ndaj një skuadre si Skënderbeu, që ka zhvilluar lojë të mirë gjatë gjithë kampionatit, ka treguar se është një skuadër për t’u mundur dhe ka bërë mirë në Kupat e Europës, siç dhe bën diferencën në kampionatin tonë. Ne kemi zhvilluar një lojë të ekuilibruar. Ngelet pak hidhërimi kundrejt një penalltie të paqenë. Mendoj se arbitrat duhet të ishin në lartësinë e kësaj finale dhe të merrnin vendime më të sakta, pasi finalja është gjithnjë finale dhe nuk mundet të humbet nga një penallti e paqenë, nuk ka diskutim.
– E ardhmja e Mezanit…
– Mezani po shijon disa ditë pushim dhe më vonë do të flasim.