Ylli Aga ka këshilluar klubet shqiptare për strategjinë që duhet të ndjekin në merkato. Gazetari i “Supersport”-it është shprehur në studion e emisionit “Skaner” në “MCN TV” se eksperienca botërore ka treguar se lojtarë si Mesi ose blihen, ose ndërtohen. Në rastin e kampionatit shqiptar paratë mungojnë, prandaj ekipet duhet të jenë te duruar për blerjet në mënyrë që të nisin një projekt afatgjatë.
“Ne hyjmë në merkato me pritshmëri të larta se do të gjejmë zgjedhjet e duhura për të ndryshuar cilësisht skuadrën. Mesi, ka treguar eksperienca botërore, ose mund të blihet, ose mund të ndërtohet. Ne e kemi të vështirë ta blejmë, sepse nuk kemi as Mansurin dhe as Al Kelaifin në klubet tona. Kështu që duhet të tregohemi të duruar për blerjet që bëjmë, për mundësitë financiare që kemi, për infrastrukturën që kemi në dispozicion dhe për të nisur një projekt afatgjatë. Do të doja shumë që Partizani ta kalonte këtë tur të parë, sepse është një bonus i konsiderueshëm financiar, sportiv dhe në imazh. Për të gjitha informacionet që kam, besoj se janë në rrugën e duhur“, është shprehur Ylli Aga./Halit Delibashi-Sport Ekspres/