Mesi: Kupën e Botës, ose e mbyll me Argjentinën

Ylli argjentinas flet për ëndrrën e tij të përjetshme, triumfin në Botëror, si dhe për të ardhmen e tij pas futbollit

Leo Mesi vazhdon të jetë në garë për të fituar çdo trofe me Barcelonën dhe madje edhe Botërorin me Argjentinën. Ky është një vit i rëndësishëm për të, sepse do të merrte atë trofe që ende nuk e ka fituar, pra me kombëtaren e tij, dhe do të rimerrte kryesimin ndaj Kristiano Ronaldos për “Topin e Artë”. Së fundmi, i pyetur për të ardhmen e tij, ai ka deklaruar se nuk e di se çfarë do të bëjë. “Ç’do të bëj pas futbollit? Nuk e di. Të gjithë thonë se është shumë e vështirë dhe nuk kam dyshime për këtë. Është shumë e vështirë të mos kesh rutinën e stërvitjes, lojës. Nuk e di se çfarë do të bëj, sinqerisht. Dua të bëj të gjitha gjërat që nuk mund t’i bëj, por nuk di se çfarë të them”, – është shprehur ylli i Barcelonës.

Botërori – Nëse në nivel klubesh Mesi është magjik, me kombëtaren e Argjentinës ka pasur vetëm vuajtje, aq sa është tërhequr një herë  nga futbolli ndërkombëtar, në vitin 2016, para se të ndryshonte mendje. Tani Mesi përsërit idenë se do t’i japë fund me kombëtaren, nëse Argjentina dështon edhe në Rusi këtë verë: “Po e ndjejmë se nëse nuk fitojmë Kupën e Botës në Rusi, e vetmja rrugë do të jetë të heqim dorë përfundimisht nga kombëtarja. Ëndërroj të fitoj trofeun këtë verë, dua të përjetoj diçka të ngjashme me Brazil 2014, ku bëmë gjithçka, edhe pse dështuam”.

Dieta – Mesi në të shkuarën është filmuar disa herë duke vjellë gjatë ndeshjeve, që është shpjeguar me stresin. Megjithatë, tani Mesi shpjegon se gjithçka lidhet me dietën e tij ushqimore, që ishte jo e përshtatshme në rini: “Nuk e di çfarë haja, por jam ushqyer keq për shumë vite. Në moshën 22 apo 23-vjeçare haja çokollatë, pije me gaz. Tani ha mirë: peshk, mish, perime, sallatë, ndonjëherë pak verë. Që pas ndërrimit të zakoneve ushqimore, nuk kam vjellë më”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *