Bylisi është përballur në orën 13:00 kundër Kastriotit, por ekipi i Dovedan nuk ka mundur dot që të përfitojë për të rrezikuar seriozisht krutanët. Vetëm katër pikë ishte diferenca mes këtyre ekipeve dhe nëse ballshiotët do të kishin fituar, atëherë Kastrioti do të rrezikonte seriozisht dhe për herë të parë “Play-Out”.
Kjo do të ishte “vetëvrasje” për djemtë e Ndreut që më herët as që e mendonin se do të mbërrinin në këtë pikë. Vetëm dy minuta loje janë kërkuar që Prodani të gjente golin e parë pas një aksioni të bukur të Kastriotit. Por për të rikthyer baraspeshën ka menduar Hidi. Një gabim trashanik i portierit të krutanëve që ka kërkuar të driblojë Ntephen, por pa ia dalë dhe topi shkoi shkoi në rrjetë. Bylisi ka qenë më kërkues për të gjetur fitoren, megjithëse nuk arritën dot ndaj Kastriotit që të merrnin më shumë se barazimi 1-1. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Ndreu (Kastrioti): “Ishte ndeshje e vështirë pasi Bylisi ka marrë pikët maksimale në javët e fundit dhe na futi në presion. Detyra kryesore ishte që të mos humbisnim ndeshjen. Por duke parë mënyrën sesi erdhi loja, duhej të kishim fituar. Portierëve dhe mbrojtësave nuk i falen gabimet. Kur merr topin, largoje menjëherë, nuk ka nevojë për delikatesë. Megjithatë Hidi na ka ndihmuar shumë gjatë këtij sezoni dhe e quaj gabim njerëzor. Po të ishte djalë i ri do t’i flisja shumë se ishte i falur. Nëse kundërshtari realizon me kombinime është tjetër gjë. Megjithatë Hidi na ka ndihmuar shumë. Mua më bënë optimist loja e ekipit. Nuk kam frikë asnjë skuadër, kam frikë vetëm skuadrën time. Edhe ndaj Vllaznisë që humbën nga një pakujdesi në fund, kemi luajtur mirë. Ky arbitri që na mbajti sot është shumë i mirë. Na ka mbajtur dhe njëherë tjetër kundër Kukësit në Shkodër dhe sa e pashë isha i qetë se do arbitronte drejtë. Këtij edhe kur i flet nuk të shikon fare në sy, është shumë i mirë”.