Më në fund lajmi që priste Çelsi ka ardhur: stadiumi i ri ka marrë dritën jeshile, pasi gjykata i ka dhënë fund betejës ligjore mes klubit anglez dhe një familjeje pranë stadiumit, që refuzonte të jepte lejen për ndërtimin e stadiumit të ri. Një ish-bankier dhe bashkëshortja e tij, një arkitekte, pretendonin 20 milionë sterlina, pasi stadiumi do t’u bllokojë dritën e diellit.
Tani gjykata ka vendosur: familja rebele ka të drejtë, por për një dëmshpërblim goxha më të vogël, jo më shumë se 1 milion sterlina. Jo pak, por Çelsi i paguan me qejf dhe tashmë do të nisë punën për ndërtimin e stadiumit të ri Stamford Bridge, me 60.000 vende dhe me kosto 1 miliard sterlina. Stadiumi i ri do të jetë gati pas tre vitesh, ndërsa nuk dihet ende ku do të luajë Çelsi deri sa të mbyllen punimet e stadiumit të ri.