Ditën e dielë “Air Albania” do të hapë sërish dyert për një tjetër ndeshje nga Superiorja. Pas derbit të kryeqytetit dhe përballjes mes Kukësit dhe Partizanit një javë më parë, këtë herë do të jetë radha e Tiranës dhe Teutës për të zbritur në fushën e stadiumit më të ri në Shqipëri. Bardheblutë vendosën pas sondazhit me tifozët e tyre për të luajtur ndeshjen në “Air Albania”, ku do të synojnë të festojnë fitoren e 6 radhazi në kampionat.
Përveç ftesës nga klubet përkatëse, edhe FSHF-ja i drejtohet tifozëve për të qenë të pranishëm në shkallët e stadiumit. Me anë të një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, qeveria e futbollit shqiptar i bën thirrje tifozëve që të marrin familjet e tyre dhe të shkojnë në “Air Albania” për të përjetuar emocionet që kjo ndeshje do të ofrojë./Sport Ekspres/