“Në Europa League do të japim maksimumin dhe shpresojmë të bëjmë mrekullinë, por vëmendja jonë më e madhe do të jetë në kampionat. Duam dhe kemi nevojë të përforcohemi në çdo repart”, – u shpreh trajneri Skënder Gega në një nga konferencat për shtyp para ndeshjes me Mariborin.
Me pak fjalë, merkatoja do të bëhej e fuqishme për kampionatin e Superiores që është në prag. “Sport Ekspres” mëson me burime pranë klubit se “demat” ishin gati të bënin një goditje 3-she, por gjërat nuk shkuan mbarë. Në fakt, duket se Partizani ka arritur marrëveshjen me dy futbollistë, por një nga lojtarët e kërkuar nuk do të afrohet me kryeqytetasit.
Emri i parë që përflitet për afrimin me kryeqytetasit është Dili Duka. Mesfushor 28-vjeçar që luan në SHBA, njohje e vjetër e trajnerit Skënder Gega. Eksperiencë në MLS, por minuta me pikatore në 3 vitet e fundit. Një bast i trajnerit Gega.
I dyti që është afër “demave” është sulmuesi Rubin Hebaj. Shkodrani ka mbyllur parimisht marrëveshjen me drejtuesit e kuq, por pret vetëm që të mbyllë kontratën me Domzhalen. Një operacion i vështirë, pasi 19-vjeçari është ende nën kontratë me klubin slloven.
Nga krahu tjetër, Partizani mund të arrinte dhe një goditje të bujshme, por gjërat nuk shkuan sipas planit. “Sport Ekspres” bën me dije se klubi kryeqytetas negocioi me ish-mesfushorin e Kukësit, Elton Kale. Braziliani ishte gati për t’u rikthyer në Shqipëri, por palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët. Drejtuesit e kuq dhe 30-vjeçari nuk ranë dakord financiarisht.