“Merkato? Pa miratimin tim nuk afrohet asnjë lojtar”, Daja nuk zgjedh të bëjë tifo për Laçin: Na intereson barazimi

Derbi i kryeqytetit është vendosur nga një gol i Esat Malës në minutën e 71-të të ndeshjes. Partizani fitoi kështu me rezultatin e ngushtë 1-0, duke dhënë shpresë për ndryshim në kampionat. Ndërkohë e kundërta mund të thuhet për Dinamon, që tashmë mbetet e mbërthyer në krizën e madhe të rezultateve. Në fund të derbit, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.

Daja (Partizani): “Në gjashtë javët e fundit kemi marrë katër fitore një barazim dhe një humbje në Shkodër. Djemtë sot kanë bërë maksimumin. Kemi zotëruar lojën nga fillimi në fund. Patëm shumë raste para porte. E vetmja gjë që nuk shkoi mirë ishte finalizimi përpara portës. Stresi është sepse jemi të detyruar të rekuperojmë ato pikë që kemi lënë në javët e para. Ndoshta ky është ai presioni i shtuar përpara porte. Do stabilitet. Në momentin që nuk ke stabilitet pikësh një ekip si Partizani ka presion, sepse është ndërtuar për objektiva madhorë.

Nuk duhet ta zbuloj si e kishim përgatitur ndeshjen sepse dua ta përdorim edhe në ndeshje të tjera. Pavarësisht se jam një lojtar që i mëshoj taktikës dëshira e futbollistëve është ajo që e prodhon këtë lojë. Kur shoh klasifikimin tani dhe shoh Tiranën në vend të parë që thotë se do të bëjë merkato, sigurisht që edhe ne duhet të bëjmë merkato. Ne punojmë në staf por pa miratimin tim nuk besoj se do afrohet ndonjë lojtar. Do bëj tifoz për Laçin kundër Tiranës? Në një moment të tillë ne na leverdis barazimi, sepse janë minus dy pikë të dyja ekipet. Barazimi do ishte në interesin tonë. Ne jemi profesionist dhe bëjmë punën tonë. Titujt festohen me të gjithë njësoj. Sinjali nuk është vetëm fitimi i derbit, por këto 6 javë kanë qenë shumë të rëndësishme. Nuk është vetëm një ndeshje që rikthen entuziasmin. Kemi bërë mirë këto gjashtë javë por jemi detyruar të mos festojmë për shkak se nuk kemi bërë mirë në fazën e parë.”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *