Pas zhgënjimit në Champions League, Tirana përjetoi një tjetër mbrëmje të hidhur në Europë. Bardheblutë morën sot humbjen e tretë radhazi në kompeticionet e UEFA-s. Festa në “Air Albania“ i takoi tifozëve boshnjakë, teksa Zrinjski fitoi minimalisht 0-1. Pas përfundimit të ndeshjes, Shehi ka dhënë mendimet e tij mbi paraqitjen e Tiranës në mikrofonin e “Supersport”-it.
“Kemi bërë ndeshje të mirë dhe ndoshta meritonim edhe më shumë. Më vjen keq që prapë marrim gol shumë të evitueshëm. E dinim që kundërshtari ka out-in shumë të fortë, prandaj ndërruam qendërmbrojtësin. E kam thënë edhe herë të tjera, na mungon edhe pak organizmi nga poshtë. Luajmë me dy qendërmbrojtësa me këmbë të djathë dhe kemi vështirësi. Binim në presion shumë shpejt.
Meritonim më shumë. Skuadra nuk është se u shpreh keq në fushë, përveç disa gjërave të vogla. Për 4 minuta pas daljes së Qefalisë komandat nuk po merreshin mirë dhe i mori euforia për të qenë sa më afër portës. Mendoj që ndeshja vazhdon të mbetet e hapur edhe atje. Besimi është prezent, sepse është me vajtje-ardhje.”, është shprehur Orges Shehi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/