Menaxherët dynden në Zvicër, shumë lojtarë të Skënderbeut nën vëzhgim

Shumë futbollistë të Skënderbeut pritet të vëzhgohen nga afër nesër dhe ai që do të shkëlqejë, në janar me shumë gjasa largohet

Leonard Trebicka

Jang Bojs-Skënderbeu nuk është një thjesht për statistikë në Europa League. Mbrëmja e nesërme do të jetë një “vitrinë” e mirë për shumë lojtarë të Skënderbeut, të cilët po vëzhgohen prej kohësh nga klube të ndryshme europiane. Edhe në ndeshjet e mëparshme europiane ka pasur menaxherë të huaj në stadium, por të enjten është mundësia e fundit për t’i parë ata në “aksion”. Burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se janë disa lojtarë, për të cilët ka interes, pasi janë pëlqyer paraprakisht në ndeshjet e kaluara, por nesër është “prova gjenerale”. Janë rreth 8 futbollistë që do të vëzhgohen ndaj Jang Bojs, por kuptohet që jo të gjithë mund të largohen në janar edhe nëse pëlqehen nga menaxherët, të cilët do të mbajnë shënime nesër. Skënderbeu, përveç miliona eurove të fituar nga Europa League, mund të përfitojë edhe shitja e lojtarëve, siç ka ndodhur më parë. Presidenti Takaj po fërkon duart, pasi klube të ndryshme janë gati të derdhin të tjera miliona për lojtarët e Skënderbeut.

JASHANICA – Ka muaj të tërë që përflitet se do të largohet nga Skënderbeu në janar. Edhe vetë e ka deklaruar se skuadra, ku do të shkojë, është thuajse gati. Janë disa skuadra që e kanë kërkuar dhe ndeshja ndaj Jang Bojsit mund të jetë vendimtare për të. Është më i përfoluri për t’u larguar në merkaton e dimrit dhe mbetet për t’u zbuluar skuadra e tij e re.

GAVAZAJ – I pari në listën e menaxherëve është mesfushori sulmues  Enis Gavazaj. Ka pak gjasa që ai të largohet në janar, por Gavazaj mbetet një nga futbollistët që pritet të mbushë më shumë arkën e klubit korçar në të ardhmen. Presidenti Takaj, sado që mund t’i japin klubete huaja, vështirë se do ta lëshojë që në janar.

NIMAGA – Futbollisti nga Mali ka kohë që është në listën e lojtarëve që pritet të shiten, por për arsye të ndryshme transferimi i tij në një kampionat të huaj nuk është finalizuar.  Është rritur te Skënderbeu dhe Takaj nuk e lëshon lehtë këtë futbollist pa marrë një shumë të majme. Sapo është kthyer nga dëmtimi dhe duket në formë vërtet të mirë.

SAHITI – Pak ka luajtur me fanellën e Skënderbeut, pasi ka të njëjtin rol si Enis Gavazaj. Gjithsesi, nesër mendohet të jetë në fushë nga minuta e parë, sepse Sahiti për këtë ka ardhur te Skënderbeu: të rritet dhe të shitet shpejt. Pa diskutim që është një lojtar me shumë vlera dhe kosovari është në listën e atyre që po vëzhgohen.

LILAJ – Pak javë më parë u thirr në Kombëtare. Sabien Lilaj po kalon një formë të shkëlqyer dhe për moshën që ka ndoshta ky është sezoni i duhur për kalimin në një ekip të huaj. Klubi korçar ka deklaruar se edhe për Lilajn ka pasur oferta të shumta, por duhet pritur. Në ndeshjen e nesërme ndaj Jang Bojs edhe për të do të mbajnë shënime.      

XHEJMS – Sulmuesi nigerian ka dy vite që po përflitet se do të shitet nga Skënderbeu, madje në një moment shitja e tij u bë fakt i kryer, por marrëveshja nuk u konkretizua në fund. Ka luajtur në të gjitha ndeshjet e Superligës dhe Europa League, ndaj dhe kreditet e tij janë rritur shumë. Në Zvicër do të jetë titullar në majë të sulmit.

MICI – Nga UEFA është cilësuar si një nga mëngjarashët më të mirë. Edhe ky lojtar ka arritur një formë super te Skënderbeu dhe është afër marrëveshja me ndonjë klub europian. Nëse drejtuesit mendojnë ta shesin, ndoshta janari nuk do të jetë momenti i duhur, por nëse vjen një ofertë e majme, edhe Mici mund të largohet.

ALITI – Erdhi te Skënderbeu në merkaton e verës dhe është ndër lojtarët që është përshtatur më shpejt se gjithë të tjerët. Kjo edhe për atë se në krah ka emra me shumë përvojë. Fidan Aliti mendohet që nesër të jetë në fushë nga fillimi, sepse edhe ai do të vëzhgohet nga menaxherë të ndryshëm.

Këta janë emrat, që nesër do të mbledhin në stadiumin e Zvicrës një “mal” me menaxherë. Nuk janë pak, por 8 lojtarë.

Lojtarët që do të vëzhgohen nesër në Zvicër

Enis Gavazaj

Bakari Nimaga

Sabien Lilaj

Suad Sahiti

Xhejms Adeni

Bajram Jashanica

Gledi Mici

Fidan Aliti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *