Mbrojtësi Memini ka rënë dakord, por pret një takim me drejtuesit për anën financiare. Sulmuesi lezhjan dhe mbrojtësi korçar duan të bindin trajnerin Dedja
Lushnja ka nisur minifazën përgatitore në resortin “Tropikal” në Durrës, ku trajneri Hysen Dedja do të punojë për disa ditë në mënyrë intensive me grupin e futbollistëve që ka në dispozicion. Vëmendja e tifozëve lushnjarë është e gjitha te merkatoja e dimrit, që shihet si shpresa e vetme për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.
MEMINI – Mbrojtësi durrsak, Rexhep Memini, i konsideruar si afrimi i parë i merkatos dimërore, dje ka qenë i pranishëm në ambientet e stërvitjes në Durrës, por nuk është bashkuar me grupin. Ai ka kërkuar që të flasë së pari me drejtuesit e Lushnjës në lidhje me kërkesat e tij financiare dhe më pas të vihet nën urdhrat e trajnerit Dedja, pasi ka rënë dakord parimisht për të qenë pjesë e Lushnjës.
PËRGJINI – OSMANLLARI – Sulmuesi lezhjan Leonard Përgjini ka nisur provën me Lushnjën dhe do të përpiqet për disa ditë të bindë trajnerin Hasan Lika. Përgjini ka qenë pjesë e Luftëtarit në gjysmën e parë të sezonit, por nuk ka pasur hapësirat e duhura të aktivizimit, ndaj dhe kërkon të nisë një aventurë të re me Lushnjën. Po ashtu, sot me skuadrën myzeqare do të bashkohet edhe mbrojtësi korçar, Anteo Osmanllari, i cili luan në linjën e djathtë, edhe në mesfushë. Edhe ky lojtar, që pjesën e parë të sezonit u aktivizua me Korabin në Kategorinë e Parë, do të jetë në provë për disa ditë. Drejtuesit e Lushnjës janë në pritje edhe të disa afrimeve të tjera dhe çdo ditë pritet të ketë emra të rinj në stërvitje me grupin.