Ashtu siç u premtua edhe një ditë më parë, në sallën e konferencës për shtyp ditën e djeshme ka qenë zv/trajneri i Skënderbeut dhe jo Ilir Daja. Pas daljeve të shpeshta të Dajës përpara mediave, klubi vendosi dje që Ard Mema të ishte përpara medieve, edhe pse njihet si një trajner që flet pak në media, por flet shumë në fushë në të gjitha seancat stërvitore. Mema dhe më pas Bruno Dita, kanë qenë dyshja që dje folën për gazetën, ndërkohë që zv/trajneri ka lëshuar këtë intervistë…
– Mema, pesë javë kanë ikur dhe Skënderbeu është i vetëm në krye. I lehtë ky fillim sezoni?
– Të them të drejtën, nuk ka qenë shumë i vështirë, për vetë faktin se e kemi bërë ne të duket kështu. Skënderbeu ka bërë paraqitje mjaft të mira, duke fituar ndeshje pas ndeshjeje, sidomos me rivalet e veta në kampionat dhe mendoj që do të ketë një ecuri të mirë edhe në vëzhgim.
– Ekipi është dukur i lodhur në ndeshjen e fundit?
– Sigurisht që të luftosh në tre kompeticione si Europa League, në kupë por edhe në kampionat ka një farë vështirësie. Ne kemi kampionatin primar. Mendoj që ngaqë kemi luftuar fort në dy fronte të paktën deri tani, pasi për Kupë ndeshjet e vështira akoma nuk kanë filluar, kemi menduar të bëjmë edhe rotacion, pasi ekipi e ka kontingjentin e duhur për të përballuar kampionatin dhe Europën.
– Në fakt, janë disa futbollistë që nuk kanë pushuar asnjë moment…
– Të them të drejtën, kemi disa pikëpyetje edhe ndaj Lushnjës, një është ajo e Lilaj që ka pasur një ngarkesë të plotë që nga vera e kaluar e deri tani. Prandaj jemi duke menduar që ta lemë pushim për këtë takim, por ende nuk e kemi vendosur. Kjo jo për ta ruajtur për Partizanin e Beogradit, por në përgjithësi pasi i duhet edhe pushimi.
– Lushnja duket një ekip i kalueshëm?
– Asnjë ndeshje nuk është e lehtë për çdo ekip. Kampionati është forcuar shumë sidomos vitet e fundit. Unë pashë takimin që luajti me Kukësin dhe ishte një ekip goxha me ritëm dhe i hapi shumë probleme Kukësit. U venit pas kartonit të kuq. E gjithë ndeshja deri në atë moment u dominua nga Lushnja. Për ne duhet të dimë që çdo ndeshje ka një rëndësi të njëjtë.
– Ekipi vuan ndaj të ekipeve të “vogla”. Pse ndodh kështu?
-Nuk mendoj të jetë kështu, duke parë analizat kemi bërë mirë në të gjitha ndeshjet. Në çdo takim rëndësi kanë pikët. Nuk duhet t’u japim asnjë mundësi kundërshtarëve me qëllim që të diktojmë ne takimin pavarësisht se kundër kujt jemi duke luajtur.
– Tri pikët, a janë të sigurta ndaj Lushnjës?
– Jo nuk mund të themi kurrsesi kështu. Unë jam një ish-futbollist dhe e di mirë që futbolli i ka të tre rezultatet për këtë duhet të japim më të mirën në çdo kohë. Ne në çdo ndeshje hyjmë për tri pikë dhe bëjmë çmos që të marrim maksimumin.
– A mund të themi që mendja e Skënderbeut është tek Partizani i Beogradit?
– Jo, në asnjë mënyrë nuk e kemi menduar deri tani atë takim. Ne i marrim me radhë çdo ndeshje dhe mundohemi të përshtatemi me çdo takim. Kemi pak kohë në dispozicion, por kjo nuk na pengon që të bëjmë përgatitjen e duhur për çdo ndeshje. Të kalojmë fillimisht Lushnjën dhe më pas do të mendojmë për Partizanin.
– Nëse mundni Partizanin e Beogradit, a besoni te kalimi i grupeve?
-Është një pyetje tipike që e bën gjithkush. Çdo ndeshje ka specifikën e vet. Ne do të bëjmë maksimumin dhe do të luftojmë fort në të dy frontet, që të arrijmë të bëjmë maksimumin për të lënë një imazh të mirë dhe të fitojmë këtë takim. Do të bëjmë çmos dhe i kemi të gjitha mundësitë të bëjmë realitet këtë fitore, por edhe në ndeshjet e tjera.