Bajer Leverkuseni ka marrë sot humbjen e parë sezonale. Skuadra gjermane u mposht nga Atalanta me shifrat 3-0 në finalen e Ligës së Europës, pas 50 ndeshjeve pa humbje. Çabi Alonso ka pranuar në koferencë për shtyp se bergamaskët ishim më mirë se ekipi i tij. Ai ka thënë se nuk është e lehtë të luash ndaj Atalantës dhe se e sheh si një mëkat faktin që humbja e parë sezonale erdhi në një sfidë kaq të rëndësishme.
“Sot Atalanta ishte më mirë se sa ne. Nuk mund të thuhet ndryshe. Sot nuk ishim të aftë të luanim ashtu si do të donim. Pas golit të parë Atalanta gjeti një energji të madhe dhe ne e pranuam këtë gjë. Ishim gati për duelet një kundër një në fushë, por nuk ishim të aftë të impononim veten tonë. Nuk ishte dita jonë. Është një mëkat që ndodhi në finale, por nuk mund të bëjmë asgjë tjetër veçse ta pranojmë.
Na munguan shumë gjëra. Nuk është e lehtë të luash kundër Atalantës dhe e kemi vuajtur presionin e tyre. Ishin shumë intensivë. Si ndihem pas humbjes së parë të sezonit? Normalisht, duhet të kishte ardhur më parë… Në futboll normaliteti është ndryshe dhe sezoni jonë ishte i përveçëm. Duhet të jemi krenarë. Të ndodhte këtu (humbja) është e dhimbshme, por do të dimë si t’ja rinisim”, ka deklaruar Çabi Alonso./Halit Delibashi-Sport Ekspres/