Berat Gjimshiti ka luajtur sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës së tij. Hera e parë për të që luan në një çerekfinale të Champions League. Madje mund edhe ta festonte me një gol këtë arritje, teksa ka flirtuar me golin e jetës mbrëmjen e sotme kundër PSG-së.
Nga një goditje nga këndi për Atalantën del një top mjaft mirë për mbrojtësin shqiptar, i cili i gjendur shumë pranë portës godet me të majtën e tij. Megjithatë kundërshtarët i zënë rrezen dhe topi përfundon pranë shtyllës së mbrojtur nga Navas. Gjithashtu nga një tjetër goditje nga këndi më parë i shkoi sërish afër golit, ku pas një goditje me kokë e dërgon sferën pranë traut të portës.
Një mëkat që nuk arriti të gjente golin, që do i jepte edhe sigurinë Atalantës, e cila udhëheq 1-0. Megjithatë pas 59 minutave Gasperini vendos ta largojë nga fusha Berat Gjimshitin dhe shkak për këtë është bërë vetëm kartoni i verdhë i marrë nga lojtari shqiptar, pasi loja e zhvilluar prej tij ishte e një niveli vërtetë të lartë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/