Mediet kryqëzojnë Hysajn, por a ka faj edhe klubi i Napolit?

Shkodrani është duke zhvilluar një sezon nën rendimentin e treguar vitin e shkuar, por nëse analizohet situata, ja ku ka gabuar klubi, trajneri dhe vetë futbollisti

Çfarë po ndodh me Elseid Hysajn? Cili është problemi i formës së tij të dobët? Gjendja atletike dhe fizike? Gjendja psikologjike? Apo thjesht sepse po luan shpesh edhe në një pozicion jo të tijin? Shumë pyetje, pak përgjigje. Mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, që sezonin e shkuar ishte ndër më të mirët me ekipin e Sarrit, sivjet po has vështirësi dhe notat e tij luhaten nga 5 deri në 6 maksimumi, duke mos shkuar më tej. Ndaj Fejnordit, në Holandë, ishte ndër më të dobëtit në fushë, teksa u aktivizua si mbrojtës i majtë, një rol që e kufizon shumë në avancimet e tij, sepse sa i përket rolit në mbrojtje, vazhdon të mos jetë i sigurt. Në fakt, edhe me Shqipërinë e ka treguar shpesh këtë gjë, edhe pse te Napoli, që kur ka mbërritur, ka treguar gjithmonë vlerat e tij.

Mediet italiane, nisur nga paraqitjet e këtij sezoni, ku pikërisht duhet ndihma e tij dhe të tjerëve për të synuar titullin. Madje, me ardhjen në jetë të djalit të tij, Hysaj duhet të kishte gjetur më shumë qetësinë në familje. Por, duket i trazuar. Mediet, sakaq, ngrenë pyetjet kur thonë se “vërtet flitet për fenomen?”.

Alternativa – Edhe pse Hysaj është ende i ri dhe mund të luajë të gjitha ndeshjet, si në kampionat, ashtu edhe kupa, fakti është se ai ka nevojë për oksigjen, herë pas here. Dhe, në këtë pikë, klubi i Napolit aspak nuk i ka shërbyer. Asnjë futbollist i blerë për krahun e djattë. Motivi? E thjeshtë! Duhet një futbollist që të pranojë stolin dhe të mos konkurrojë Hysajn.

Por, këtu arrin pjesa më e vështirë, sepse me dëmtimin e Gulamit (kthehet vetëm pas katër muajsh), situata është e vështirë dhe shkodrani është detyruar shpesh të spostohet në të majtë, ku tashmë është dëmtua edhe Mario Rui dhe kështu që do të duhet që të luten që Hysaj të mos marrë ndonjë grip. Në të djathtë, ndërkohë, i është hequr pluhuri Kristian Maxhios, veteranit të mbrojtjes. Edhe trajneri Sarri, shpesh i kritikuar nga De Biazi, ka këmbëngulur gjatë gjithë sezonit me Hysajn, duke mos i dhënë pak pushim. Dhe, tani, në këtë situatë emergjence, do të jetë e vështirë që Hysaj të pushojë, të paktën deri për Krishtlindje dhe Vitin e ri…

Merkato – Rinovimi i kontratës vetëm përpara pak muajsh ishte praktikisht ajo që lojtari dëshironte, duke arritur te një rrogë prej thuajse 1,4 milionë eurosh në sezon, me rritje të tjera vitet në vazhdim. Klauzolë 50 mln euro për jashtë Italisë. Ndoshta, kjo ka sjellë një farë stopimi te lojtari, që e di mjaft mirë se disa klube e kanë kërkuar, mes tyre Juventusi dhe në verë pritet që të ketë oferta në drejtim të tij.

Jo fenomen – Portali “ilnapolista” shkruan se Hysaj është i vetmi lojtar te të kaltrit që ka ndalur procesin e rritjes në karrierën e tij si futbollist profesionist. Ai nuk është më shpërthyes si sezonin e kaluar, teksa evidentohet edhe fakti se në dy vite e gjysmë te Napoli ai nuk ka pasur kurrë konkurrencë. Kristian Maxhio, alternativa në krahun e djathtë nuk është i denjë për ta zëvendësuar.

Madje portali italian shkon më larg duke e krahasuar rendimentin e tij me “Rocky 3”. Në këtë film Balboa humb sepse nuk ka më “sytë e tigrit”, si një formë për të përshkruar grindën, dëshirën për të fituar. Në fund ai rigjen sytë e tigrit dhe fiton. “Hysaj nuk është një fenomen, ndoshta edhe ne e kemi ekzagjeruar që e kemi konsideruar në të ardhmen si kampion”, shkruhet më tej në shkrimin e “ilnapolista”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *