Një lajm i pavërtetë u përhap me një shpejtësi të madhe në media, duke bërë që pasojat për Skerdilajd Currin të ishin të mëdha. Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe Partizanit, i cili pjesën më të madhe të karrierës së tij e zhvilloi në Gjermani, u raportua si i infektuar me virusin Covid-19. Një lajm ky aspak i vërtetë që ka ndikuar shumë jo vetëm në aspektin emocional të tij dhe familjes, por edhe në aspektin e biznesit. Në një lidhje me emisionin “Fan Zone” në “Supersport”, Curri shprehet se pas këtyre fjalëve të pavërteta të shpërndara në media shumë punëtorë të tij janë larguar nga biznesi që ai drejton.
“Mu larguan nga puna shumë njerëz pasi panë atë lajm. Nuk e di nga doli ai lajm, por u përhap shumë shpejt. Mamasë sime për pak sa nuk po i pushonte zemra, pasi ishte e shqetësuar, por duhet bërë shumë kujdes për shpërndarjen e informacioneve. Gjermania ka bërë një izolim shumë të mirë të këtij virusi.
Unë nuk kam dëgjuar deri tani që nga Aue Erzebirge të ketë ndonjë rast të keq. Është vendosur edhe rikthimi i kampionatit në Gjermani, megjithëse kishte edhe nga ata që ishin kundër”, ka thënë Curri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/