“Më vranë me paramendim, u bëra thesi goditës i Italisë”

“Nuk kam gjetur një sens, por kam një shpjegim: kam praktikuar futboll për 35 vjet, në fushë, por kurrë nuk jam marrë me politikën sportive, nuk kam bërë pjesë kurrë në një Sistem. Kam menduar gjithmonë që të jesh është më e rëndësishme se sa të dukesh. Të prodhosh më shumë se sa të premtosh. Projekti që kisha vendosur në tavolinë po procedonte ashtu si duhej”. Nis kështu intervista e dhënë nga ish-trajneri i kombëtares së Italisë, Xhan Piero Ventura, për zëvendës drejtorin e “Gazzetta dello Sport”, Andrea Di Karo.

Vrajse me paramendim – Më pas, Ventura vijon… “Kisha trashigimuar Italinë më të vjetër të 50 viteve të fundit dhe po e rinoja me aktivizimin e dendur të të rinjve: bëra që të debutonin 14 futbollistë të rinj – vijon Ventura. “Nëse do të ishim kualifikuar, këto të rinj do të përfshiheshin në listën për Botërorin ku vazhdoj të besoj se Italia do të kishte bërë mjaft mirë. Rusi 2018 duhet të ishte trampolina e kërcimit për të qenë më pas favoritë për Euro 2020. Gjithçka kishte një sens dhe funksionoi deri në ndeshjen ndaj Spanjës. Mbërritëm në atë sfidë pas 7 fitoresh dhe 2 barazimesh, por edhe mbështetjen e tifozerisë. Pas asaj ndeshje, nisi një shkatërrim pa precedentë, një vrasje me paramendim…”.

Kryqëzimi Spanjë – Ventura kthehet te ajo humbje në fushën e Spanjës: “Pas asaj humbje nisi një deligjitimim i vazhdueshëm. U bëra i vetmi fajtor i të këqijave. Federata ishte spektatore, skuadra shpëtoi, kështu që Ventura ishte fajtori. Ventura goditi shtyllën, Ventura gaboi gola, Ventura e nxorri Italinë nga Botërori dhe Ventura ka bërë si komisar i FIGC… Deri te Spanja isha trajneri i Italisë, më pas bëra një sport tjetër dhe u ktheva në shënjestër”. Dhe thotë se mbeti në pankinën axurre “për pasion, ndjenja, mburrje, nuk e di as vetë sepse… Di vetëm që në atë moment ndjeja fort brenda meje lidhjen me kombëtaren dhe gjithçka që ajo për mua kishte përfaqësuar. Ndjeja që pavarësisht çdo gjëje, do t’ia dilnim. Me siguri ky është një faji im i madh. Duhet të kisha dhënë dorëheqjen”.

Insinje dhe të tjerët – i akuzuar nga disa që bëri zgjedhje të gabuara, Ventura nuk tërhiqet mbrapsht dhe pranon “të kthehem në stol” dhe të flasë. Duke nisur nga rasti “Insinje”, që në playoff me Suedinë luajti vetëm gjysmë ore. “Bëra vlerësime në bazë të asetit taktik të Suedisë. Por, të jeni të sigurt se nëse do të kishte luajtur Insinje, problemi do të ishte El Sharaui apo dikush tjetër jashtë formacioni…”. Në “San Siro”, gjithmonë gjatë playoff ndaj Suedisë, një moment bëri xhiron e botës: De Rosi i kapur në stol që thotë “Nuk duhet të nxehem unë por Insinje”… Tregon trajneri: “Daniele nuk do të kishte hyrë, nuk kisha dhënë asnjë dispozitë në lidhje me këtë. Por, shërbeu edhe kjo për të më vënë mua fajin”.

Më pas, çështja “Baloteli”: “Do të bënte pjesë te Italia që kisha në kokë për Botërorin…”, shprehet Ventura. Dhe zbulon: “Do të ishte grumbulluar për miqësoret ndaj Argjentinës dhe Anglisë”.

Pengu – Zgjedhje të duhura ose jo, sot Italia nuk është në Botëror. Çfarë thotë Ventura përpara tifozëve? “Që Brenda meje mbaj një keqardhje të madhe… E di se sa ata, sidomos ose vetëm ata, e kishin përzemër. Unë gjithashtu isha si ata. Nuk qava përpara tv, por ajo që ndjeva brenda meje është aq e fortë saqë çdo ditë dhe nat e përjetoj”.

I revoltuar – Kemi përballë një njeri të goditur emocionalisht? Aspak, Ventura vazhdon: “Nuk jam i dëshpëruar, jam i nxehur. i motivuar si një sustë dhe mezi pres për të drejtuar një skuadër. Kam dëgjuar shumë falsitete, prapaskena të shpikura, u lodha duke qenë ai thesi që godet nga e gjithë Italia”. Dhe, në fund: “Kam 35 vjet futboll që flet për mua. Në tre muaj kalova nga mjeshtër i futbollit në Ventura ha fëmijët”. Në futbol shohim çdo gjë, por kështu është shumë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *