Pep Guardiola e ka nisur konferencën për shtyp në prag të përballjes me Arsenalin me një falje publike. Trajneri i Manchester City-t nuk u kursye me deklaratat e tij pak ditë më parë në lidhje me dënimin e mundshëm që mund të pësojë klubi i tij për shkak të rregullave të “fair play”-t financiar. Ndër të tjera, Guardiola u shpreh se City-n do e akuzojnë edhe për faktin se Gerrard-i rrëshqiti në fushë kundër Chelsea-t në vitin 2014. Ky moment pasoi më pas me humbjen e Liverpool-it në garën për titull, të cilin asokohe e fituan “qytetarët”.
Por Guardiola ka pasur mjaftueshëm kohë për të reflektuar me veten dhe ka marrë një vendim për të kërkuar ndjesë publike. Trajneri spanjoll ka pranuar përpara gazetarëve se ndihet i turpëruar për komentet që ka bërë dhe se i kërkon falje Gerrard-it, që nuk i meritonte ato fjalë të dala nga goja e tij.
“I kërkoj falje Steven Gerrard-it për komentet e panevojshme dhe idiote që bëra për të herën e fundit. Më vjen turp, sepse nuk e meriton. Ai e di se sa shumë e adhuroj atë dhe karrierën e tij. Më vjen turp sepse nuk e meriton. Nuk e përfaqësova mirë klubin tim. I kërkova falje Gerrard-it privatisht, por meqë komenti ishte publik, falja ime duhet të jetë gjithashtu publike. Më vjen shumë keq,” ka deklaruar Josep Guardiola./Halit Delibashi-Sport Ekspres/