“Më vjen keq, nuk i ecën Jorgjit me Teutën”, Martini pakënqësi për arbitrimin: Na mohoi dy penallti, i dha një kundërshtarit

Teuta ka marrë një barazim me shumë mund ditën e sotme në Shkodër përballë Vllaznisë. Goli i baraspeshës do të vinte vetëm në fund të takimit, megjithëse rezultati 2-2 i favorizon deri diku për shkak të golave në fushë kundërshtare. Në një prononcim për “Gol pas goli”, trajneri Edi Martini ka folur mbi takimin e sotëm të zhvilluar nga skuadra e tij. Tekniku i durrsakëve pranon se nuk e priste një përballje kaq të ndërlikuar, ndersa nuk kursen as pakënaqësitë me arbitrimin. Sipas tij gjyqtari Enea Jorgji ka mohuar 2 penallti të pastra për Teutën si dhe ka akorduar një të tillë për Vllazninë.

“Në fakt e nisëm mirë ndeshjen për 10 minutat e para, por bëmë një gabim që na kushtoi shumë. Goli i parë erdhi si mungesë e vëmendjes nga ana e lojtarëve tanë, që më pas vuajtën këtë moment dhe morëm edhe një gol të dytë. Megjithatë reaguam mirë dhe më vjen mirë që morëm një barazim, sidomos pasi ishim në disavantazh të dyfishtë. Më vjen keq që Jorgjit nuk i ecën kur arbitron Teutën, pasi edhe sot na mohoi dy penallti dhe dha një tjetër për kundërshtarin, që edhe mund të jetë, se nuk e kam parë me vëmendje.

Treshja e sulmit? Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e tyre, pasi u impenjuan maksimalisht dhe dhanë kontributin e tyre në rezultatin e arritur. Ishte një ndeshje e vështirë dhe u shfaqëm pak nervozë për shkak të rezultatit që nuk po shkonte në favorin tonë, por ata bënë mirë detyrat e tyre në fushë, duke lëvizur shumë dhe ndihmuar edhe në fazën mbrojtëse.

Të jem i sinqertë nuk e prisja kaq të komplikuar, por Vllaznia luante me 8-9 lojtarë me tipare mbrojtëse, gjë që e vështirësoi më shumë lojën tonë. Për më tepër, pësimi i dy golave të shpejtë na e bëri edhe më të vështirë, por jam i kënaqur me reagimin e lojtarëve, që barazuan dhe mund të kishin shënuar edhe ndonjë gol tjetër“, ka thënë Edi Martini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *