Ramën Çepele po djeg të gjitha etapat, teksa pas largimit nga moshat e Interit ka nisur të stërvitet me ekipin e parë të Hanoverit. Një hap mjaft i madh ky për talentin shqiptar, i cili me shumë mundësis nuk do të presë shumë për të zbritur në fushë për debutimin e tij në Bundesliga 2. Çepele ka folur më shumë rreth eksperiencës që po kalon në Gjermani gjatë një interviste në “Ora Sport” në “Ora News”, ku gjithashtu flet edhe për Kombëtaren kuqezi, fanellën e të cilëve e veshi për herë të parë në miqësoren kundër Kosovës.
“Fillova këtë javë të stërvitem me ekipin e parë të Hanoverit. Është ndjesi shumë e bukur. Nuk di ç’të them. Me ekipin e parë do të kisha filluar që në nëntor. Pas ndeshjes me Kombëtaren më thërritën më thanë do vish të stërvitesh me ne. Por pas Kombëtares pësova dëmtimin dhe qendrova dy muaj jashtë.
Nuk kam folur shumë me trajnerin. Edhe për faktin se nuk di gjermanisht. Kam filluar të bëj mësime për ta mësuar. Nuk kam lindur në Shqipëri, por në familje flasim gjithmonë shqip. Lala më dha shumë ndihmë që nga koha kur isha te Interi. Ai ishte i lidhur me Hanoverin, sepse ka luajtur atje. Po më ndihmon akoma, është shumë i mirë.
Diferencat mes Italisë dhe Gjermanisë? Është shumë ndryshe. Në Itali është vetëm mbrojtje, mbrojtje, mbrojtje. Ndërsa në Gjermani ka më shumë presing, është një kundër një. Më pëlqen më shumë futbolli gjerman, sepse në Itali të zë gjumi duke parë ndeshjen.
Kam folur me Rejan? Fola javën e parë me Rejën. Më pyeti si isha, si po shkoj (me ekipin). Për tani nuk është asnjë problem. Luaj me lojtarë të mëdhenj në Kombëtare. Është normale të laujnë ata. Jam vetëm 17-vjeç. Duhet të mësoj më shumë. Mund të mësoj edhe prej tyre. Më pëlqen shumë si luan Gjimshiti. Atë e kam shok dhe më pëlqen si luan”, është shprehur Ramën Çepele./Halit Delibashi-Sport Ekspres/