Mbrëmja “Më të mirët e vitit 2022“ po shkon drejt shpalljes së çmimeve të fundit. Ministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, është ngjitur në skenë për të ndarë çmimin “Topi i Artë i vitit 2022”. Përpara se të dhurojë trofeun, zonja Kushi ka shprehur rëndësinë e madhe që futbolli ka, si dhe ka falenderuar kreun e FSHF-së për bashkëpunimin mes tyre. Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka konfirmuar edhe nisjen nga puna për projektimin dhe ndërtimin e tre stadiumeve të rinj në Shqipëri.
“Topi i Artë i vitit 2022” shkon për Redon Xhixhën, ndërsa dy alternativat e tjera ishin Xhuliano Skuka dhe Mentor Mazrekaj. Sulmuesi 24-vjeçar la pas një vit mjaft të suksesshëm, ku ngriti në duart e tij kupën e titullit kampion me Tiranën. Në pamundësi për të qenë në sallën e Teatrit, Operas dhe Baletit, duke qenë se ndodhet në Azerbajxhan në ekipin e tij të ri, çmimin e ka tërhequr kapiteni i bardhebluve, Marsel Ismajlgeci./Halit Delibashi-Sport Ekspres/