Nga Klaudio Ndreca
Tirana do të luajë në pasditen e sotme ndaj Flamurtarit në takimin e vlefshëm për kampionatin shqiptar. Pas përballjeve të luajtura në Kupë është edhe njëherë momenti për të ndjekur Superioren.
Bardheblutë kanë pengesën e Flamurtarit që i hap jo pak probleme në rrugën drejt titullit. Me një hap të gabuar dhe gjendjen e moralit që do të rëndohej, atëherë kryesuesit aktual të Superiores e vendosnin shumë në rrezik trofeun.
Por në rast se do të triumfojnë, atëherë vetëm matematika i pengon për të nisur festën. Këtë gjë mund ta bëjnë edhe nga shtëpia teksa në ditën e nesërme do të jetë Vllaznia që do të përballet me Kukësin. Asgjë për t’u toleruar nga shkodranët që e kërkojnë fitoren për të shpëtuar dhe për të mos rënë përfundimisht në zonën e Play-Off. Një kombinim ky që nuk është i pamundur për të ndodhur dhe për këtë arsye djemtë e Egbosë janë të dënuar për fitore. /Sport Ekspres/