Me muzikën e filmit të vjetër turk, holandezët reportazh për Rashicën: Disa shqiptarë më quajtën tradhtarë…

Viteshe ishte ekipi ku Milot Rashica spikati në karrierë dhe do të merrte vëmendjen në Europë. Prej andej do të përzgjidhej edhe nga ana e De Biazit për të luajtur me Shqipërinë, në miqësoret përpara se të mbërrinim në Europian.

Por vetë lojtari do të mërzitej nga vendimi i trajnerit italian që e la jashtë kompeticionit që zhvilluam në Francë, për të shkuar te Kosova. “VitesseTv” ka publikuar ditën e sotme një reportazh shumë të veçantë për të treguar karrierën e Rashicës. Ky i fundit ka treguar për holandezët edhe sa i përket kësaj zgjedhje të vështirë:

“Përpara se Kosova do të pranohej nga FIFA dhe UEFA, të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat do të luanin për Kombëtaren e vetme. Por unë zgjodha për Kosovën sepse i duhesha më shumë, jam një produkt i Kosovës dhe kam lindur aty. Po ka pasur disa shqiptarë që më quajtën tradhtarë dhe më kanë thënë fjalë të këqija, por ata e kanë kuptuar zgjidhjen time tani”.

Gjithashtu në këtë reportazh është folur për luftën e Kosovës me Serbinë në territorin shqiptar, por zgjedhja e gabuar e bërë nga ana e “VitesseTv” ishte muzika e zgjedhur në këtë reportazh të veçantë. Nën tingujt e filmit të vjetër turk “Shamikuqja”, kur fare mirë mund të niste me një muzikë patriotike shqiptare. Nëna e Milot Rashicës ka treguar edhe një moment delikat gjatë luftës kur po largoheshin për në fshat që të ishin më të sigurtë:

“Kur Rashica ishte 2 vjeç ne kemi ikur në një fshat më të largët për t’i shpëtuar luftës. Në një moment më ka rënë nga duart në ujë. Vetëm ka qarë gjatë gjithë rrugës dhe është trembur, ndërsa më vonë ka thënë se ka qarë se donte babain”. /Sport Ekspres/