Tirana ka marrë në duart e saj trofeun e Superkupës së Shqipërisë. Bardheblutë kanë mposhtur me rezultatin 3-2 Vllazninë në stadiumin “Air Albania“. Një finale mjaft e bukur, që prodhoi shumë gola dhe emocione. Pas përfundimit të kësaj ndeshjeje, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “Oversport”-it.
Shehi (Tirana): “Është kënaqësi që e nisim këtë pjesë me trofe, megjithëse mund të jetë me më pak rendësi se të tjerët. Trofeu është trofe. Kur luan në situata të tilla në radhë të parë duhet ta shijosh. Një trofe i shtuar, si për ne, edhe për klubin, është diçka e mirë dhe një frymëzim për të ardhmen. Në që kemi një jetë në sport e dimë se pas një muaji pushimi gjendja nuk është optimale. Duhet të na shërbejë për të rritur vetëbesimin, edhe pse ndryshimet janë, edhe pse lojtarë të rinj kanë ardhur. Ishte një ndeshje e bukur dhe e hapur, ashtu siç është gjithmonë kundër Vllaznisë. Me cilën ngjasojmë nga skuadrat e Botërorit? Sa larg ke shkuar. Nuk mund të krahasohemi me skuadra të nivelit të lartë botëror, aq më tepër përfaqësuese. Duhet të festojmë sot dhe nesër të kthehemi përsëri në punë, pasi ndeshja tjetër është afër”.
Josa (Vllaznia): “Nuk kam si ti kritikoj djemtë për këtë ndeshje, por u mposhtëm nga një gol në shtesë. Donim të fitonim Superkupën, por kjo disfatë do të na shërbejë për ndeshjen e radhës në kampionat. Na munguan 2 qendërmbrojtësit, por zhvilluam një ndeshje të mirë. Luajtëm për të fituar, por u ndëshkuam në fund. Kishim ardhur për të fituar ndeshjen. Ne luajtëm futboll si në pjesën e parë edhe në pjesën e dytë. Më vjen keq për golin e parë dhe për golin e dytë. Patrick bëri një goditje perfekte, por ne duhet të ishim më të vëmendshëm në mbrojtje. Gabimet ndodhin, por nuk duhet ti përsërisim në ndeshjet e ardhshme. Latifi? Vllaznia e do një Liridon të mirë dhe dalë nga dalë ai do të vijë në formën e tij më të mirë. Gabimet në mbrojtje? Jam i mërzitur me golin e parë, pavarësisht ekzekutimit të Patrick. Ndërsa te goli i dytë na goditën pas një gabimit tonë. Më mirë që ndodhi në këtë sfidë, që ta evitojmë në kampionat”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/