Setien i ka ditët të numëruara te Barcelona. Asnjë trofe i fituar dhe ajo humbje turpëruese me Bajernin duket se kanë vulosur fatin e spanjollit. Katalanasit po shqyrtojnë emrat e rinj për të marrë drejtimin e klubit dhe dëshira më e madhe është Mauricio Pochettino.
Megjithatë në të shkuarën argjentinasi ka qenë i prerë me deklaratat e tij, që nuk i kanë pëlqyer aspak te Barcelona. Në sezonin 2016/2017, Pochettino do të shprehej se kurrë nuk do të drejtonte Barçën në karrierën e tij, ndërsa në janar të 2018-ës shkonte edhe më tej, teksa thoshte: “Kurrë nuk do të jem një trajner i Barcelonës ose Arsenalit, sepse jam i lidhur ngushtë me Espanyol dhe Tottenham. Më mirë punoj një fermën time në Argjentinë se sa të drejtoj këto dy klube”.
Por duket se me kalimin e viteve ndryshojnë edhe fjalët. Gazetari spanjoll, Sique Rodriguez bën me dije se Pochettino është takuar me Bartomeun dhe drejtues të tjerë të Barcelonës gjatë javës. Madje vetë tekniku argjnetinas këtë muaj kërkon ndjesë për deklaratat e tij dhe fjalët “kurrë nuk i dihet çfarë ndodh” lënë të nënkuptohet se këtë herë mund të ketë një marrëveshje mes tij dhe katalanasve.
“Nuk doja të mos respektoja Barcelonën. Gjërat mund të thuhen ndryshe. Espanyol më bëri me emër. Por nuk jam arrogant dhe nuk më pëlqen të bëj një deklaratë të tillë. Ndoshta tani do e bëj sepse në jetë kurrë nuk i dihet çfarë do të ndodhë”, ka thënë Mauricio Pochettino./Halit Delibashi-Sport Ekspres/