Një diskutim i madh është bërë mbi fjalët e Starovës teksa vendoste gjithmonë theksin se Egbo është vetëm një trajner portierësh dhe se Tirana do të marrë me patjetër një tjetër teknik për Europën dhe sezonin e ardhshëm. Të diskutosh vlerat e njeriut që ka fituar mbi 18 ndeshje dhe ka marrë vetëm 1 humbje dhe 1 barazim, kërkon vërtet një guxim të madh.
Ndërkohë Starova është tërhequr nga këto diskutime teksa i ftuar në emisionin “Pressing” është shprehur se është keqkuptuar nga të tjerët dhe se Egbo meriton një kontratë 2-3 vjeçare te bardheblutë, duke shuar edhe zërat për një xhelozi mbi suksesin.
“Egbo? Më vjen keq që “specialistët” i kanë keqkuptuar fjalët e mira, unë e njoh Egbon dhe kam folur për superlativa. Nuk ia kam mohuar ecurinë, nuk kam arsye që t’ia mohoj elozhet. Thjesht kam thënë që Tirana po kërkon një trajner më të kualifikuar. Programi dhe stërvitja e portierëve është tjetër gjë, ka ndryshime. Nuk të bën trajner liceca. Xhelozi? Nuk ka lidhje, po ta marrësh si xhelozi, unë i bie që po lavdëroj të gjithë, Memën, Julin, që ishin para Egbo. Tirana ka harxhuar para dhe kanë kaluar Partizanin në blerje, Partizanin që ishte kampion. Edhe Kukësi e ka të vështirë me Tiranën me këtë super-xhiro që ka marrë. Kukësi po e ndjek vërtetë, por Tirana nuk ka kundërshtarë. Kështu që, e gjitha kjo është respekti më i madh për Egbon, e meriton t’i bëjnë kontratë 2 ose 3 vjeçare, kaq”, tha Starova. /Sport Ekspres/