“Më ka bërë me nerva për të treguar më shumë nga vetja”, Broja rrëfen raportin me Rejën: Më dërgoi në tribunë ndaj Anglisë

Armando Broja ka folur për herë të parë hapur për raportin e tij me Edi Rejën. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shpjeguar në studion e emisionit “Kampionët” në “TV Klan” edhe episodin e dërgimit në tribunë në përballjen kundër Anglisë. Megjithatë, Broja ka vlerësuar faktin se trajneri italian i dha mundësinë të debutonte me fanellën kuqezi të Shqipërisë.

“Unë si lojtar kam pasur shumë trajnerë të ndryshëm. Me Rejën nuk mund të them diçka të keqe, sepse më ka dhënë debutimin dhe më ka bërë pjesë të Kombëtares. Më ka dhënë ndeshjen. Kur nuk më ka futur për të luajtur më ka bërë me nerva, jo me të, por me vetën, sepse më ka shtyrë që të tregoja më shumë nga vetja. Te ndeshja me Anglinë unë kisha një shqetësim të vogël me këmbën, por që zgjati vetëm 3-4 ditë dhe e kalova pa problem. Ekipin e prita në Angli dhe kur i takova thjesht më tha trajneri që duhet të shkoja në tribunë”, është shprehur Armando Broja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/