Drejtori i Crevena Zvezdës, Zvezdan Terzic, as që e merrte në llogari Tiranën. “Mos më thërrisni më nëse nuk i fusni katër gola atyre”, ishte “kërcënimi” i bërë duke e parë si të thjeshtë ndeshjen që do të zhvillohej në mbrëmjen e sotme.
Por pjesa e parë kishte në fushën e lojës kampionen e Serbisë që nuk mund të bënte asgjë me topin përveçse ta qarkullonte atë, pa kërcënuar asnjëherë të vetme Ilion Likën. Shumë më ndryshe ishte në krahun tjetër ku efikasiteti në aksionet sulmuese të ndërtuara nga ana e Tiranës ishte më i madh, por mungoi vetëm gjetja e rrjetës.
E si ishte reagimi i drejtorit Terzic pas 45 minutave të para? Foto e marrë nga mediat serbe, flet më shumë se gjithçka tjetër. Madje vetë “Informer” e përshkruan drejtorin e Zvezdës si të përhumbur duke mos e kuptuar se çfarë po ndodhte në fushën e lojës, teksa priste tërësisht një tjetër panoramë. Me siguri që edhe pas këtij takimi të mbyllur te Zvezda do të kenë shumë për të folur me trajnerin e tyre Stankovic. /Sport Ekspres/