Enriko Papa që prej dy vitesh ka nisur një eksperiencë të re në Rumani, ku ia ka dalë të jetë një titullar në fushën e lojës me fanellën e Botosanit. Mesfushori nga Kuçova e nisur nga ligat më të ulëta në Shqipëri, fillimisht me Naftëtarin e vendlindjes së tij, për të mbërritur edhe në Superiore, por hapësirat për të do të mungonin në elitën e futbollit shqiptar.
Papa ka dhënë një intervistë ditën e sotme për “Fan Zone” në “Supersport”, gjatë së cilës ndan me të gjithë edhe vështirësitë për t’ia dalë në botën e sportit më të bukur në botë. Paraqitjet e lojtarit 27-vjeçarit me sa duket kanë rënë në sy, teksa futbollisti zbulon emrat e klubeve që janë të interesuara për të, ku përfshihet edhe Kievo. Gjithashtu në fund e mbyll me dëshirën e madhe që çdo lojtar e ka, të veshë fanellën kuqezi të Kombëtares.
“Në Shqipëri është shumë e vështirë dhe shumë lojtarë e kanë lënë futbollin. Kam qenë me fat që më ndihmoi Kosta Grillo dhe vazhdova. Te Tirana dhe Teuta nuk më dhanë hapësirat që meritoja, por më pas luajta te Lushnja të gjithë ndeshjet dhe rashë në sy.
Kam pasur shumë oferta nga Kievo në Seria B, por ka edhe ekipe të tjera si ekipi i Besart Berishës në Australi, ndaj të shohim si do shkojnë gjërat. Në Shqipëri ka shumë talente, por nuk ka infrastrukturë. Kur nisëm kampionati, trajneri ishte drejtor teknik dhe askush nuk besonte tek ai, por kemi ecur shumë dhe jemi afër Europës. Besoj do e arrijmë pasi bëjmë lojën më të bukur se të gjithë. Ftesë nga Kombëtarja? E mendoj gjithmonë. Shpresoj të më jepet njëherë mundësia të luaj për të“, është shprehur Enriko Papa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/