Valon Berisha ka dhënë një intervistë për “Radio Dukagjinin”, ku ka rrëfyer se në hapat e hershëm të karrierës ka pasur mundësinë të ishte pjesë e Aston Villa-s ose Manchester City. Mesfushori shqiptar ka treguar se në moshën 14-vjeçare arriti të kalonte me sukses provat në dy klubet në fjalë, të cilat i kanë ofruar një ofertë mjaft të mirë në atë periudhë. Por Berisha shprehet se zgjodhi t’i refuzonte, duke qenë se ishte vetëm 14 vjeç dhe e ndjente veten mjaft të vogël për t’u shkëputur nga familja.
“Chelsea ka qenë skuadra e parë që kam shkuar në prova kur kam qenë 14 vjeç. Kam qenë edhe në Aston Villa dhe Manchester City. Këto dy të fundit më kanë dhënë një ofertë shumë të mirë për moshën që kam pasur. Më kanë ofruar edhe studime. Por e kam ndjerë veten shumë të ri për t’u larguar nga familja në atë moshë dhe për të jetuar vetëm. Kam pasur një familje që e ka këqyrur shumë aspektin e edukimit. Këto kanë qenë arsyet që kam qendruar në Norvegji. 14 vjeç je ende fëmijë”, ka treguar Valon Berisha./Sport Ekspres/