Eneo Bitri ka bërë realitet një nga ëndrrat më të mëdha në karrierën e tij. Mbrojtësi shqiptar është pjesë e lojtarëve të grumbulluar nga Edi Reja për miqësoren me Arabinë Saudite. Futbollisti i Partizanit ka ndarë me emisionin “Ora Sport“ në “Ora TV” ndjesitë e tij të para me fanellën kuqezi. Bitri është shprehur se kundër Arabisë do të jetë një provë mjaft e mirë për të gjithë lojtarët e grumbulluar që të tregojnë sa të aftë janë për të veshur fanellën e Kombëtares. Sa i përket Rejës, Bitri tregon se është çuditur me faktin se sa miqësor është trajneri italian.
“E kuqja e Kombëtares është kënaqësi. Jam shumë i emocionuar. Diçka që e kemi ëndërruar që të vegjël dhe një ditë po na bëhet realitet. Po e shijojmë në maksimum. Po na ikin ditët shumë shpejt. Është një shans shumë i mirë për të gjithë ne, sepse duhet të tregojmë veten tonë dhe cilësinë e kampionatit. Është një provë e mirë që nuk vjen shpesh. Është diçka e re për mua. Do ta provojmë veten në këtë ndeshje dhe të shohim sa i kemi mundësitë për të kaluar një hap më përpara. Është kënaqësi të stërvitesh me një trajner të tillë. Ka një CV mjaft të pasur. Është edhe shumë miqësor. U miqësua direkt me ne, kjo më bëri përshtypje.
Vendi i parë me Partizanin? Nuk ndihemi aq komod, sepse kampionati shqiptar nuk është i lehtë. Katër pikë nuk janë shumë. Por nuk janë as pak. Kampionati shqiptar këtë mentalitet ka. Kur luan me Partizanin dhe Tiranën do të marrësh maksimumin”, ka thënë Eneo Bitri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/