Milot Rashica ishte i ftuar në studion e emisionit “Oxygen”, ku ka zhvilluar një intervistë me gazetarin Besim Dina. Sulmuesi shqiptar është kthyer pas në kohë për të kujtuar momentin kur zgjodhi të përfaqësonte Kosovën, teksa më parë kishte veshur fanellën kuqezi në dy takime miqësore. Rashica ka treguar se një pjesë e konsideruan si tradhëtar të kombit, por ai e sheh zgjedhjen e tij të natyrshme, duke qenë se ka lindur dhe është rritur në Kosovë.
“Në momentin që Kosova është pranuar në FIFA dhe në UEFA dhe që kemi pasur të drejtë për të luajtur ndeshje zyrtare si krej shtetet e tjera të botës, unë kam qenë një prej të parëve që jam kthyer në Kosovë. Pastaj kanë ardhur edhe disa lojtarë të tjerë. Madje për një kohë kam qenë tradhëtar i kombit, sepse lashë Shqipërinë dhe erdha në Kosovë. Nëse unë nuk do të kisha ardhur në Kosovë, nuk e di kush do kishte pasur mundësinë të vinte. Unë kam lindur dhe jam rritur këtu, e kam kryer shkollën këtu, familjen e kam këtu. Unë nga Kosova kam dalë, deri në moshën 18-vjeçare kam jetuar në Kosovë”, ka thënë Milot Rashica./Halit Delibashi-Sport Ekspres/