Më afër dënimit 10-vjeçar të Shqipërisë, Endi Tufa tregon mendimin e politikës: Duan të provojnë UEFA-N, fyerje ndaj autoriteteve ndërkombëtare

Vendimi i gjykatës mbetet ende në fuqi, pavarësisht faktit se UEFA miratoi verdiktin e asamblesë për mandatin e gjashtë të Armand Dukës në krye të FSHF-së. Për këtë arsye qeveria europiane e futbollit do të ndërhyjë për të dhënë një dënim vërtetë të ashpër për Shqipërinë, e cila mund të mbetet për 10 vit jashtë kompeticioneve të UEFA-s dhe FIFA-s. I pyetur në lidhje me këtë çështje, Endi Tufa tregon në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport” mendimin e politikës.

“Me sa duket duan të provojnë se sa serioze është UEFA me paralajmërimet e saj. Urojmë që mos ta provojnë deri në fund, sepse UEFA, apo institucionet ndërkombëtare përgjithësisht funksionojnë në bazë të rregullave të tyre që kanë shumë vite që nuk i shkelin dhe nuk kanë arsye që t’i shkelin. Kam përshtypjen që Shqipëria nuk bën përjashtim. Ne e kemi provuar njëherë kokëfortësinë e shtetit. E kemi provuar se ç’do të thotë të përballesh me kokëfortësinë e shteti përballe rregullave të ndërkombëtarëve. Kështu që uroj mos të na përsëritet. Këtë herë është ndryshe edhe për faktin që ka mbërritur vetë në Tiranë presidenti i UEFA-s, që është padyshim një nga njerëzit me më influencë në botë, jo vetëm në kontinentin tonë, dhe një ndër njerëzit më të rëndësishëm jo vetëm të botës së futbollit. Autoriteti i mbërritjes së tij këtu për t’u takuar, për të rënë dakort dhe për të marrë garancinë nga qeveria, të cilat sipas tyre janë shkelur, tregojnë edhe njëherë se kjo është një lloj fyerje e autoriteteve ndërkombëtare, jo vetëm të brendshme në mosmarrëveshjet që kanë institucionet brenda vendit.

Publikisht (qeveria) ka për detyrë t’i konsiderojë të paanshme (vendimet e gjykatave), pavarësisht se sa e vërtetë është kjo gjë. Megjithatë kam përshtypjen se garancia që i është dhënë UEFA-s është se ata do ta organizojnë vetë gjithë procesin zgjedhor dhe që nga vizita e presidentit Ceferin deri në datën 15 mars që u zhvilluar asambleja zgjedhore, ka qenë gjithçka e organizuar nga UEFA. Pra është qeveria europiane e futbollit që kishte marrë çdo gjë në dorëzim, që nga dokumentacionet, mënyrat, procedurat. Pasi i kishte verifikuar, i kishte marrë ajo për të garantuar ndoshta dhe legjitimitetin e këtij procesi zgjedhor, edhe karshi qeverisë shqiptare. Për këtë ishte zotuar. Është një denocim penal për shkelje të procedurave për një problematikë zgjedhore. Po për të njëjtën të cilën UEFA e konfirmuar, e ka konfirmuar dhe ka nxjerrë një rezultat përfundimtar, të cilin ia ka dorëzuar edhe kryeministrit tonë, presidentit të UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit“, ka thënë Endi Tufa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *