Turi i parë kualifikues i Champions League mbyllet pa surpriza. Selltiku dhe Rozenborgu kanë kaluar në turin e dytë të playoff. Skocezët likuiduan praktikën Alashkert me dopietën e Dembele (3-0), duke replikuar kështu suksesin e ndeshjes së vajtjes. Sakaq, norvegjezët, që në turin tjetër do të sfidojnë pikërisht Selltikun, kanë eliminuar islandezët e Valurit 3-1, duke përmbysur humbjen 1-0 në Islandë.
Një ndeshje që është mbyllur me shumë protesta nga islandezët, pasi goli i kualifikimit ka ardhur nga Bentner me penallti në minutën e 94. Valuri ka ngritur zërin, por nuk ka shmangur eliminimin.
Kalon edhe Karabaku, që edicionin e shkuar arriti të shkonte deri në grupet e Champions League, duke u ndeshur me Romën, Atletikon e Madridit dhe Çelsin. Azerët, falë rezultatin të ndeshjes së parë, arritën që të menaxhonin kthimin ndaj Ljubjanës.
Bëjnë përpara edhe Astana (2-0 ndaj Sutjeskës, pas 1-0 në ndeshjen e parë), Sherifi i Tiraspolit (3-0 ndaj Torpedo Kutaisit pas 1-2 në Gjeorgji) dhe sllovakët e Spartak Tërnavës (1-1 në fushën e Zrinsjkit pas 1-0 në vajtje).
Sakaq, një ditë më parë (të martën) ishin kualifikuar edhe Shknëdija e Tetovës, në Uells, edhe pse me shumë frikë, ndërsa edhe Legia e Varshavës dhe Ludogorets, me një autogol qesharak ndaj Krusejdërsit. Për Ber Shevën, Helsinkin dhe Crvena Zvezdën, gjithçka e lehtë.
Turi i dytë i Champions
(ndeshjet 24/25 korrik dhe 31 korrik/1 gusht)
Astana-Midtjyland
Ludogorets-Videoton
Kukësi-Karabak
Kluzh-Malmo
Dinamo Zagreb-Hapoel Ber Sheva
Crvena Z.-Suduva
BATE-Helsinki
Shkëndija-Sherif Tiraspol
Legia Varshava-Spartak Trnava
Selltik-Rozenborg