Partizani ka zgjidhur përfundimisht marrëveshjen me ish-trajnerin italian. Ai është paguar deri në nëntor, duke arritur kompromisin. Moxhi futet në “aksion”
Eraldo Harlicaj
Partizani dhe Juliano kanë ndarë përfundimisht rrugët. Trajneri italian dhe drejtuesit e kuq kanë zgjidhur marrëveshjen me kompromis ditën e djeshme. Italiani është ulur sërish në bisedime me të deleguarit e presidentit Gaz Demi dhe më në fund palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Takimi i parë i zhvilluar mes palëve nuk ka shkuar me sukses, pasi trajneri Juliano dhe klubi nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Pretendimet e tyre kanë qenë të kundërta. Pas disa orësh bisedime është vendosur edhe një takim i dytë që u zhvilluar ditën e djeshme. Italiani dhe kryeqytetasit kanë lënë afat për t’u menduar për idetë e tyre dhe kanë zhvilluar takimin e radhës vetëm pas një pauze 24 orëshe.
TAKIMI I DYTË – Ish-trajneri i Partizanit, Mark Juliano, ka takuar sërish përfaqësinë e “demave”. Drejtuesit e kuq dhe vetë tekniku kanë qenë më këmbëngulës për të mbyllur marrëveshjen dhe për të mos humbur kohë. Trajneri ka kërkuar të paguhej deri në fund të vitit, por diçka e tillë nuk është miratuar nga të kuqtë që kanë dashur të minimizojnë humbjet. Pas argumenteve dhe kundërargumenteve është rënë dakord që marrëveshja të mbyllej me kompromis dhe trajneri të paguhej deri në muajin nëntor. Kjo duket si një fitore për të kuqtë që e kanë mbyllur me kaq, por në fakt më i fituari ka dalë Juliano, sigurisht nëse flasim për kontribute dhe meritokraci të ardhurash.
MOXHI – Ndryshe nga takimin i parë, Drejtori i Përgjithshëm Luçiano Moxhi ka marrë pjesë në bisedimet përmbyllëse ndërmjet Julianos dhe Partizanit. Në fakti, 80-vjeçari ishte i detyruar, pasi ishte ai që e solli Julianon në Tiranë. Prezenca e tij ka “imponuar” ish-teknikun e të kuqve të mbyllë marrëveshjen me “demat” dhe të pranojë dëmshpërblimin e ofruar. 44-vjeçari nuk ka folur vetëm për vete, por edhe për ndihmësin e tij Dosena. Dëmi ekonomik ka qenë edhe më i madh.
48 mijë euro dëm në 4 muaj
48 mijë euro ka paguar Partizani për trajnerin Mark Juliano dhe ndihmësin e tij Dosena. Ish-tekniku i të kuqve së bashku me ndihmësin e tij kanë marrë këtë shifër të ardhurash prej aventurës me “demat”. Presidenti Gaz Demi është detyruar të paguajë këtë shifër për trajnerin e ardhur nga Italia. Juliano ka pasur një rrogë prej 9 mijë eurosh në muaj. Ai është paguar edhe për muajin nëntor duke marrë në total 36 mijë euro që kanë rënduar arkën e “demave”. Ndihmësi i tij Aleksandro Dosena ka pasur një rrogë prej 3 mijë eurosh në muaj duke përfituar në total 12 mijë euro. Partizani në 3 muaj qëndrim, ka nxjerrë nga arka e klubit këtë shifër për të paguar Julianon dhe Dosenën.