Tani që futbolli është ndalur, pyetja: “Kur do të nisë sërish?” është ajo që shtrohet nga të gjitha klubet. Kriza ekonomike për ta do të jetë e konsiderueshme, për këtë arsye dëshirojnë një përgjigje në mënyrë që të zbusin sado pak dëmet financiare. Por situata vijon të mbetet e rënduar në Europë dhe për këtë arsye ekipet e Premier League kanë vendosur që të mos vendosin limite për kohën kur do të zbresin sërish në fushë.
Klubet që luajnë në elitën e Anglisë kanë organizuar një video-konferencë ditën e sotme dhe në mënyrë unanime kanë rënë dakort që kampionati duhet të luhet me patjetër i gjithi, por data 30 qershor nuk do të jetë një limit për ta. Megjithëse UEFA ka kërkuar që sezonet të mbyllen në muajt qershor dhe korrik, ekipet ishullore do t’a çojnë deri në fund kampionatin vetëm kur gjenda e izolimit të përfundojë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/