Mbrojtja “tradhëton” Vllazninë, shkodranët pësojnë në 7 javë njësoj sa në gjysmën e sezonit e shkuar

Trajneri Brdariç bëri një mrekulli sezonin e shkuar në krye të Vllaznisë. Një skuadër e marrë në një kohë kur l.uftonte për mbijetesë e që në fund e dërgoi në vendin e dytë, ku vetëm golavarazhi e pengoi nga titulli kampion. Megjithatë shijen e një trofeu e provoi, teksa Kupa e Shqipërisë u takoi atyre.

Por nëse futbolli sulmues e i bukur ishte ai që tërhiqte vëmendjen, një rol të madh në sukses e mori edhe mbrojtja. I njëjti repart që këtë edicion të ri duket se ka “tradhëtuar” Vllazninë. Në 7 javët e para të Abissnet Superiores shkodranët kanë pësuar plot 12 gola. Një shifër e lartë kjo, duke marrë parasysh numrin e ulët të takimeve të zhvilluara dhe faktin se ekipi këtë herë ka objektiv titullin kampion.

E nëse e krahasojmë me një sezon më parë, ndryshimi është krejtësisht i dukshëm. Kjo Vllazni në 7 javë pëson po aq sa 20 ndeshje në edicionin e kaluar të Superiores. Pikërisht 20 javë i janë dashur kuqebluve në sezonin 2020/2021 për të pësuar 12 gola. Pra pak më tepër se gjysma e kampionatit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *