Një përrallë e vërtetë: Virxhil Van Dijk u transferua para pak ditësh nga Sauthemptoni te Liverpuli, duke vendosur një rekord të ri për një mbrojtës, me 75 milionë sterlinat e paguara nga The Reds, ndërsa sot në debutim shënoi golin vendimtar për fitoren 2-1 në Kupën FA, që vlen kalimin e turit. Përballë? Evertoni! Nuk ka mënyrë më të çmendur e të pabesueshme për të nisur karrierën në Liverpul dhe Van Dijk tani e tutje ndoshta nuk do ta dëgjojë më frazën “mbrojtësi më i shtrenjtë në botë”.
Xhejms Milner shënoi nga pika e bardhë për Liverpulin në minutën e 35-të, por Gylfi Sigurdson barazoi në minutën e 67-të, para se holandezi me një kërcim të fuqishëm në minutën e 84-t të shënonte golin e festës së madhe.
Ndërkaq, në Old Trafford Mançester Junajtid mundi 2-0 Derbi Kauntin, në një sfidë që u zgjidh vetëm në fund, kur shënuan Lingard e Lukaku në 5 minutat e fundit të takimit.