“Mbrojtësi i Egnatias dribloi 4 lojtarë dhe nuk e ndali dot askush“, Dabulla tregon problemet e Vllaznisë: Nuk më kënaq

Dabulla ishte i ftuar në studion e emisionit “Ora Sport“ në “Ora TV“, ku ka dhënë mendimin e tij sa i përket Vllaznisë së këtij sezoni. Ish-futbollisti i Tiranës sheh probleme te kuqeblutë, të cilat i nxjerr në pah me rastin e golit të Egnatias një javë më parë, kur mbrojtësi kundërshtar driblon 4 lojtarë dhe më pas jep pasimin vendimtar.

“Gol shumë i bukur. I dha me meritë fitoren skuadrës. Por një fitore shumë e vuajtur. Vllaznia ka disa ndeshje që nuk është mirë. Me Tiranën fitoi vërtetë, por Tirana e vuri në vështirësi të madhe me 10 lojtarë në pjesën më të madhe të lojës. Me fat i mori ato tre pikë Vllaznia. Luajti me Egnatian dhe humbi në mënyrë shumë të thjeshtë. Pashë dobësinë e Vllaznisë në rastin e një prej golave që shënoi Egnatia. Një mbrojtës i majtë i Egnatias arrin të driblojë katër lojtarë të Vllaznisë dhe asnjëri nuk e ndalon dot.

Vetëm në atë aspekt pashë një ekip që nuk funksionon mirë. Nuk ka bashkëpunim të mirë mes lojtarëve, sepse është e pamundur që një mbrojtës të gënjejë 4-5 vetë dhe të pasojë. Atë punë e bëri disa herë gjatë lojës ai. Këtu thashë që kjo skuadër nuk më kënaq. Unë jam dashamirës i Vllaznisë dhe dua ta shikoj sa më lart. Vllaznia vjet dhe parëvjet ka zhvilluar lojë shumë të bukur dhe ka lojtarë të mirë në gjirin e vetë. Por ka këtë problem, që kur del jashtë Shkodrës ka një ngërç. Nuk është shumë e ashpër, nuk është shumë praktike, është pak më e butë. Në Shkodër është e bukur. Nuk e shoh mirë, vjet isha më i bindur dhe më i qartë te loja e Vllaznisë”, ka thënë Rezart Dabulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *