Alfred Mane
Reali i Madridit fitoi mbrëmë në Mynih, me pak fat e me shumë cinizëm, sepse nuk luajti ndonjë ndeshje të madhe, por imagjinoni sikur kampionët në fuqi të Europës të ishin në mbrëmjen perfekte.
Mbrojtësi i Bajernit të Mynihut, Niklas Syle, u fut në vend të Zherom Boatengut, i cili u dëmtua në pjesën e parë. Duke folur për gjermanen Kicker, Syle deklaroi pas ndeshjes se ishte një ndër ndeshjet më të dobëta të Realit dhe Bajerni meritonte fitoren.
“Nëse fitonim 5-2, askush nuk do habitej dhe nuk do ankohej”, u shpreh Syle, duke komentuar rastet e shumta për shënim që Bajerni shpërdoroi.
“Besoj se shumë rrallë kam parë një Real kaq të dobët në Mynih”, shtoi Syle, i cili beson te kualifikimi, ashtu si Tomas Myler, i cili pas ndeshjes tha se “Reali është shumë i brishtë dhe mund të thyhet në kthim”.