Mbrojtës apo sulmues? Askush si Ramos në La Liga, kapiteni i Realit thyen rekord në Spanjë

Serxho Ramos ka thyer rekordin e Koman në La Liga. Me golin e shënuar mbrëmjen e djeshme nga pika e bardhë e 11 metrave, lojtari spanjoll shkon në kuotën e 68 rrjetave të tundura, 1 më shumë se ish-futbollisti holandez i Barcelonës. Kapiteni i Realit të Madridit bëhet kështu mbrojtësi me më tepër gola të shënuar në kampionatin spanjoll në të gjitha kohërat.

Megjithëse Hierro numëron 105 gola,shumica e tyre janë realizuar në momentet kur spanjolli është aktivizuar në repartet e avancuara të fushës. Ndryshe nga Koman, i cili pjesën dërrmuese të herëve ka festuar shijen e golit nga penalltia, me 34-vjeçarin situata është krejt e ndryshme, teksa vetëm 12 herë ka shënuar nga 11 metërshi.

Serxo Ramos vijon kështu të shkruajë emrin e tij me gërma të arta në historinë e futbollit, jo vetëm spanjoll, por edhe atë botëror. Me 67 gola të shënuar në La Liga dhe me 98 të shënuar në rang klubesh, pa numëruar 21 golat me fanellën e Kombëtares së Spanjës, lojtari i galaktikëve tremb me shifrat. Padyshim këto të fundit të bëjnë të pyesësh nëse është një mbrojtës apo një sulmues./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *