Mbledhje urgjente te Kukësi, Gjici vendos për trajnerin

Presidenti Safet Gjici ka zhvilluar sot një mbledhje urgjente në zyrat e Kukësit në Tiranë, ku ka takuar stafin drejtues për të analizuar humbjen kundër Skënderbeut.

Ka qenë një mbledhje e gjatë, ku më së shumti ka folur presidenti i Kukësit, ndërkohë që nuk kanë munguar kritikat e ashpra, për renditjen, humbjen në Korçë dhe zëvendësimet e kryera aty, ku që pas ndeshjes pati kritika ndaj trajnerit serb. Ky i fundit ka shkuar deri aty sa ka qenë i gatshëm të dorëhiqet, prej ditës së sotme, duke mos kërkuar asnjë dëmshpërblim.

Megjithatë, në fund të mbledhjes Gjici ka vendosur të konfirmojë Milinkoviçin, duke e lejuar të mbyllë vitin, para se të bëhet një bilanc i pjesës së parë të sezonit. Në këtë moment Skënderbeu është 9 pikë larg, Kukësi është i treti dhe mund të kalohet edhe nga Flamurtari nesër, por në 3 ndeshjet e fundit të kampionatit për këtë vit mund dhe duhet të merren 9 pikë.

Lushnja e Luftëtari në shtëpi, Teuta në Durrës: nëse Milinkoviç merr 9 pikë në këto 3 ndeshje, nuk do të rrezikojë në janar, ku klubi ka në plan merkato cilësore, duke parë boshllëqet e mëdha.

Nëse gjithçka shkon keq, atëherë Kukësi me shumë gjasa do të zgjedhë mes Ivan Gvozdenoviç e Elvis Plorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *