Pas vendimeve paraprake të miratuara nga Këshilli i FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, të cilat kishin parashikuar miratimin e masave shtesë në vijimësi, FIFA dhe UEFA kanë vendosur sot së bashku që të gjitha ekipet ruse, qofshin ato ekipi kombëtar apo klube, do të pezullohen nga pjesëmarrja në të gjitha kompeticionet e FIFA-s dhe UEFA-s deri në një njoftim të dytë.
Këto vendime janë miratuar sot nga Byroja e Këshillit të FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, përkatësisht organet më të larta vendimmarrëse të dy institucioneve për çështje të tilla urgjente. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Futbolli është plotësisht i bashkuar në këtë çështje dhe në solidaritet të plotë me të gjithë njerëzit e prekur në Ukrainë. Presidentët e FIFA-s dhe UEFA-s shpresojnë që situata në Ukrainë të përmirësohet ndjeshëm dhe me shpejtësi, në mënyrë që futbolli të jetë sërish një mjet për unitetin dhe paqen mes njerëzve.