Mbi lëkurën e Partizanit…

Nuk është dramë, jo! Është tragjedi-komedi.

Të vjen të qash kur sheh se si e kanë katandisur një fanellë të lavdishme të Shqipërisë, të vjen të qeshësh kur sheh që një “pensionist” që në Itali nuk duan t’i dëgjojnë më as zërin dhe t’i shohin emrin, vjen për të marrë disa të holla dhe për të bërë show në vendin tonë…

Të vjen të qash kur sheh renditjen e kampionatit dhe tabelën që shënon 5-0 në Gjirokastër, për skuadrën e Luftëtarit. Të vjen të qeshësh kur sheh se Bobi, që erdhi si Mesia, shpëtimtari i klubit, paraqet dorëheqjen dhe sërish vërtitet aty rrotull, deri sa lapsi t’i bjerë përsëri.

Të vjen të qash kur sheh në fushë futbollistë që interesohen më shumë se kur është dita kur ka kaluar rroga dhe paraqiten në bankomat, për të shkuar më pas në loton e lagjes, me kapuç, tuta dhe të maskuar, duke vendosur skedina, por të vjen të qeshësh kur sheh një drejtor sportiv i sapoemëruar, që njihet vetëm sepse i vëllai i kryeministrit dhe në media flet sikur të kishte kaluar detin në këmbë…

Por, më shumë të vjen të qash kur sheh se presidenti i kësaj skuadre hesht dhe vetëm hesht… Ndërsa, qesh sepse ka persona të tjerë që përreth tij nuk dihet se çfarë roli kanë, nuk dihet se çfarë pune bëjnë, nuk dihet nëse e kanë kthyer Partizanin në një han me shumë porta, apo në një “kafene” ku mund të mblidhen dhe bëjnë humor…

E gjitha, mbi lëkurën e Partizanit… Dhe, këtu nuk flasim për ata që zbresin në fushë, apo që drejtojnë, por këtu flasim për ata që e ndjejnë, ata që vuajnë dhe ata që shpenzojnë nga xhepi i tyre për të parë një maskaradë… Ata që ishin edhe sot në Gjirokastër, aty të pranishëm, deri në fund, për të mbështetur emrin,por jo ata që e përfaqësojnë atë.

Këtu nuk flitet për titullin, këtu nuk flitet për objektivin Europë, këtu flitet për dinjitetin dhe për respektin kundrejt një emri që numëron tifozerinë më të madhe në vend. Këtu flitet për një “përdhunim” që po i bëhet klubit të Partizanit. U duk sikur e keqja po mbaronte dhe fundi i tunelit po afronte, por u deshën vetëm pak muaj për të rikthyer gjithçka nga e para…

Dhe, kushdo do të ulet në atë stol, do të jetë viktima e radhës, ndërsa në fushë mediokriteti mbetet kryefjala… E gjitha në një kontekst që besojmë ende te futbolli i luajtur, sepse nëse do të mendonim diçka tjetër, atëherë, të na falni, por shkrimi mbaron që në titull…

ps: Bebeto, ku ke humbur more djalë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online